MENU
klinika

Çfarë dyshohet

Sekuestrohen kamera të sigurisë në fshatra të banuara me serbë në rajonin e Gjilanit!

22.12.2023 - 18:19

Rreth 50 kamera të sigurisë, të cilat kishin qenë të vendosura në zona të banuara me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit, janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, të premten.

Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se konfiskimi është bërë nga Policia, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe me urdhër të gjykatës kompetente në Gjilan.

“Dyshohet se të njëjtat [kamera] janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara”, ka thënë Liridona Xheladini, zyrtare për komunikim në Prokurorinë e Gjilanit.

Prokuroria nuk ka treguar saktë se në cilat zona është bërë sekuestrimi, teksa ka thënë se bëhet fjalë për fshatra të banuara me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

Përveç disa fshatrave në Komunën e Gjilanit, që janë të banuara me serbë, në rajonin e Gjilanit përfshihen edhe dy komuna të tjera ku serbët përbëjnë shumicën – Ranilluku dhe Parteshi.

Në këto dy të fundit, Radio Evropa e Lirë në vitin 2022 pati raportuar se janë të vendosura dhjetëra kamera të sigurisë nëpër hapësira publike, të cilat nuk dihen se nga kush kontrollohen.

Më 2022, REL ka raportuar se kamera të sigurisë, që nuk dihet se kush i kontrollon, vëzhgojnë edhe hapësirat publike në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kamerat e tilla janë të vendosura në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Sipas ligjeve në fuqi, në Kosovë, vëzhgimi i hapësirave publike me kamera mund të bëhet vetëm për nevoja të Policisë së Kosovës./REL

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!