Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të kryera në zbatimit të masave të përcaktuara në kuadër të megaoperacionin “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, kanë kapur në Elbasan dhe kanë vënë në pranga shtetasin:
E. B., 17 vjeç, banues në Librazhd, i shpallur në kërkim, pasi më datë 28.11.2023, nuk u gjet në banesë, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, dhe më datë 19.12.2023, ka vjedhur 4 celularë në një dyqan celularësh, në pronësi të shtetasit Z. M.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u bë arrestimi i shtetasit V. K., 44 vjeç, banues në Librazhd, (fqinji i 17-vjeçarit), pasi dyshohet se ka shtyrë 17-vjeçarin, për të kryer vjedhje, si dhe ka mbajtur në banesën e tij, celularët e vjedhur.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Z. M., 40 vjeç, banues në Librazhd, pasi ka marrë celularët nga shtetasi V. K. dhe nuk ka kallëzuar për vjedhjen.
Celularët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.