Vendi ynë ka importuar afro 50 milionë litra birrë përgjatë periudhës janar-nëntor 2023 ku një nxitje të lartë ka dhënë sezoni i mbarë turistik. Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës tregojnë se rritja e sasisë së birrës së zhdoganuar ka qenë progresive nga viti në vit, dhe nëse do të marrim në krahasim periudhën 2020-2023, kapërcimi ka qenë me afro 13 milionë litra në favor të importit.
E përkthyer në vlerë monetare, përgjatë këtij viti birra e importuar ka rritur në vlerën e 54 milionë dollarëve.
Por cila është harta e origjinës nga vjen ky produkt? Të dhënat e doganave të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se Shqipëria importon birrë nga 22 shtete në total. Ku vendin e parë e zë Greqia, me një vlerë prej 7.8 milionë dollarësh, ndjekur nga Gjermania me 4.9 milionë dollarë, Serbia me 3.4 milionë dollarë dhe më pas renditet Holanda dhe Çekia. Ndërsa Kosova, Franca dhe Austria janë shtetet nga ku importojmë më pak.
Markat e huaja kanë fituar terren edhe për shkak të dyfishimi i akcizës së birrës nga 1 janari 2023 për prodhimin vendas, masë e cila është pasuar me efekte negative për industrinë. Birra shqiptare duket se po mundet nga konkurrenca për shkak të kostove të rritura që lidhen si me lëndën e parë ashtu edhe me fuqinë punëtore.
Prodhimi i vendit para ndryshimeve fiskale ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të cilat hynë në fuqi në 1 janar 2023, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj./ SCAN