Pasi nuk gjetën zgjidhje nga Bashkia e Lezhës, banorët e fshatit Koljakaj, mblodhën së bashku paratë, nxorën lopatat dhe nisën punën për të riparuar 2 km rrugë drejt fshatit të tyre. Kjo ishte dhuratë që i dhanë vetes për festat e fundvitit.
Duke qenë hyrja e vetme e një zone që merret kryesisht me bujqësi dhe blegtori, rruga ishte bërë vështërsisht e kalueshme në pjesë të ndryshme e për pasojë ndikonte në nxjerrjen e produkteve në treg.
Me të ardhurat e veta ata mbushën gropat e shumta me çakull, por sërish i drejtohen bashkisë Lezhë që të bashkohet me ta dhe t’i ndihmojë pasi punën kryesore po e bëjnë vetë dhe thonë se janë pjesë e kësaj bashkie vetëm 15 km larg saj.
“Po mundohemi të bëjmë diçka në këtë rrugë sepse është shumë e nevojshme. Jemi munduar të mblidhemi bashkë dhe të shpenzojmë lekë sepse kemi nevojë të madhe. I bëjmë thirrje bashkisë të na ndihmojnë, se na kanë bërë 200-300 metra në fillim të rrugës aty, por nevoja është e madhe që të ndërhyhet dhe këtej”, thotë një banor.
“Gjithë lagjja jonë është mbledhur sepse jemi skandal me rrugën. Falenderojmë bashkinë që na i shtroi 200 metra, por nëse është e mundur, meqë shumicën po e bëjmë ne të na ndihmojë, se ne të bashkisë jemi”, thotë një tjetër.