Brenda muajit dhjetor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pritet të hapë garën koncesionare për rehabilitimin dhe vënien në punë të termocentralit të Vlorës si dhe të ndërtimit të tubacionit Fier-Vlorë të furnizimit me gaz të kësaj vepre energjetike.
Kontrata që do të nënshkruhet është parashikuar të jetë e tipit R.O.O.T., që përfshin rehabilitimin, operimin dhe më pas transferimin pranë autoriteteve shtetërore. Hapja e kësaj gare u paralajmërua nga ministri Damian Gjiknuri, i cili ka deklaruar se lidhja me rrejtin e gazit është e vetmja mënyrë që mund ta vërë në funksionim.
TEC-i i Vlorës, me kapacitet 97 MW është përfunduar në tetor të vitit 2011, por si rrjedhojë e një defekti në tubacionin e ujit, që shërben për ftohjen e turbinës ai nuk është vënë asnjëherë në punë.
Nga viti 2004 deri në vitin 2011, Korporata e Elektroenergjitke Shqiptare ka harxhuar 130 milionë dollarë si pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore, ndërsa edhe sot vijon të paguajë këstet e kredisë.
Ndërkaq, paralelisht me këtë koncesion, Ministria parashikon hapjen e garës edhe për 2 hidroecentrale në rrjedhën e lumit Devoll.