Në kohën kur kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ndodhet ende në paraburgim nën akuzën për vjedhje votash, vëllai i tij, Leonard Beleri ka zgjedhur të flasë për mediat greke, ku edhe ka bërë disa denoncime të rënda.
Ai pretendon se qeveria e kryeministrit Rama nuk mund të lejojë të humbasë Himarën, pasi mund t’i dalin në dritë falsifikimet.
“Qeveria dhe zoti Rama personalisht nuk duan të humbin bashkinë e Himarës. Sepse do të dalin shumë. Vazhdojnë të bëjnë falsifikime me parcelat. Festa vazhdon”, tha Leonardo Beleris për ERT.
Ai ka bërë një referencë të veçantë për qëndrimin e Jorgo Goros në detyrën e tij, i cili edhe pse u raportua se do të largohej, ai mohoi se ka dhënë dorëheqjen.
“Zoti Goro nuk merr dot frymë nëse nuk merr leje nga zoti Rama”, tha zoti Beleri, duke përsëritur sugjerimin e të vëllait që nëse nuk është vetë kryetar bashkie që është zgjedhur, atëherë dikush të marrë postin, një i zgjedhur tjetër nga fraksioni i tij.
“Fatkeqësisht kemi një bashkëbisedues jo të besueshëm”, tha vëllai i kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, duke vlerësuar se Goro do të qëndrojë në detyrën e tij “për aq kohë sa të dojë zoti Rama”.
Në fakt, ai tha se kryeministri i Shqipërisë preferon të sakrifikojë të ardhmen e popullit të tij dhe që Shqipëria të mos hyjë në BE, sesa të humbasë bashkinë e Himarës.
Madje ai vlerësoi se veprimet e tij janë për faktin se “falsifikimet janë bërë në nivelin më të lartë dhe fatkeqësisht shumë njerëz duhet të mbrohen nën ombrellën e zotit Rama”.