MENU
klinika

Ja ku ndodhet lideri i opozitës ruse

U zhduk para 3 javësh, gjendet Alexei Navalny

25.12.2023 - 18:12

Avokatët e Alexei Navalny më në fund kanë arritur të kontaktojnë me të pas 3 javësh kërkim. Sipas zëdhënësit të tij, Navalny është gjallë dhe po mbahet në një koloni penale në Siberi.

“Ne gjetëm Alexei Navalny. Ai ndodhet në një koloni penale në Rusinë veriore”, tha Kira Yarmysh.

Ekipi i tij nuk kishte pasur asnjë kontakt me të që nga 6 dhjetori, pasi ai u zhvendos nga një burg i mëparshëm.

Navalny, i konsideruar si një nga kundërshtarët kryesorë të Vladimir Putinit, është i burgosur që nga viti 2021.

“Avokati i tij e pa atë sot. Alexei është mirë”, informoi Yarmysh, në platformën Telegram.

Ajo tha se ai ishte transferuar në koloninë penale IK-3 në Kharp në distriktin autonom Yamalo-Nenets, në Rusinë veriore.

Ai është mbajtur më parë në Melekhovo, 235 km në lindje të Moskës.

Ndihmësi i Navalny, Ivan Zhadov tha se kolonia ishte një nga “kolonitë më të largëta” në Rusi, me kushte “të vështira”. Sipas tij zhvendosja e Navalnyt demonstroi sesi sistemi trajton të burgosurit politikë, duke u përpjekur t’i izolojë dhe shtypë ata.

Ekipi i tij filloi të shqetësohej pasi ai nuk u paraqit në disa seanca gjyqësore.

Navalny u bë i njohur si një aktivist kundër korrupsionit. Një aktivist karizmatik, ai dukej se ishte i vetmi lider i opozitës ruse i aftë të mobilizonte njerëz në një numër të madh anembanë Rusisë për të marrë pjesë në protestat antiqeveritare.

Por në vitin 2020, ai u helmua në Siberi dhe laboratorët perëndimor më vonë konfirmuan se ishte një agjent nervor. Ai u trajtua jashtë vendit, por u kthye në Rusi në vitin 2021, ku dhe u arrestua menjëherë.