Çmimi i energjisë ka prekur vlerat më të ulta historike. Duket e pabesueshme pas krizës së fortë që përfshiu Shqipërinë por edhe mbarë Evropën, por çmimi i një megavati ka zbritur në 1.6 euro. Referuar bursës HUPX, një megavat këtë të hënë po tregtohet me 1.68 euro, ndërsa pritet që ditën e nesërme çmimi mesatar të arrijë në 21.16 euro, kurse vjet në 25 dhjetor një megavat kushtonte mesatarisht 106.38 euro. Ndërsa në 25 dhjetor të vitit 2021, çmimi mesatar ishte 186.46 euro për megavat, ishte periudha që sapo kishte nisur kriza e çmimeve të energjisë.
Që prej tetorit të vitit 2021, Shqipëria është në emergjencë për furnizimin me energji elektrike, vendim i ndërmarrë pas krizës së çmimeve që kulmuan në vitin e kaluar. Teksa kanë mbetur edhe pak ditë nga përfundimi i afatit të emergjencës së energjisë që është 31 dhjetori 2023, çmimet në tregjet e huaja kanë prekur vlerat më të ulta të 2 viteve të fundit.
Referuar të dhënave të bursës Hungareze, çmimi mesatar me të cilin është shitur një megavat në javën që lamë pas zbritën në 43.94 euro një megavat, ndërkohë që vjet në këtë periudhë çmimet mesatare të javës ishin 68.75 euro megavati.
Çmimet e energjisë kanë rënë ndjeshëm këtë vit, por nga ana tjetër edhe nevoja e vendit për të importuar ka qenë më e ulët për shkak të reshjeve sidomos në pranverë dhe në vjeshtë. Madje gjatë këtij viti KESH ka rritur sasinë e energjisë së eksportuar jashtë vendit.
Nga kalkulimi i të dhënave nga ankandet e bëra të KESH për shitje energjie, rezulton se prej janari deri më tani janë shitur mbi 597 mijë megavat energji me vlerë rreth 51.7 milionë euro.
Ndërkohë që në total janë importuar 60.5 milionë euro energji, ku blerjet më të mëdha janë bërë në muajit e verës deri në tetor.
Për shkak të çmimeve të larta të bursës në vitin e kaluar ku një megavat arriti deri mbi 1000 euro, vendi shpenzoi 503,8 milionë euro për të blerë energji, ndërsa në total shiti vetëm 37.9 milionë euro referuar të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë.
EKSPORT-IMPORT I ENERGJISË
Eksportet 51,637,303 euro
Energjia e Shitur 597,740 megavat
Importet 60,518,761 euro