MENU
klinika

Hetim i ri ndaj Ilir Beqajt

BKH mësynë “Delta Farma” dhe farmacitë “Ditë e Natë”!

29.12.2023 - 10:52

Pasditen e djeshme për orë me radhët oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit të mbështetur edhe nga Policia kanë ndërmarrë kontrolle intensive mbi një rrjet farmacish në Tiranë.

Ky kontroll mësohet se është urdhëruar nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të një hetimi të ri që ka nisur ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Sipas të dhënave jozyrtare mësohet se në fokus ka qenë konkretisht “Delta Farma” dhe rrjeti i farmacive të emërtuara “Ditë e Natë”.

Mësohet se në këtë objekte që janë bërë pjesë e kontrollit pasditen e djeshme, oficerët e BKH-së kanë sekuestruar përveç dokumenteve, dosjeve edhe disa kompjutera që janë gjendur brenda objekteve që tregtojnë barna, kryesisht në Tiranë. Por më herët u mësua se një grup i kësaj Byroje, mbështetur sërish nga Policia kanë kryer edhe kontrolle në banesën e Ilir Beqjas.

DETAJET KONTROLLEVE NË FARMACITË

Mbrëmë u zbardhen detaje të reja në lidhje me kontrollin që Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia me urdhër të SPAK po kryejnë në farmacinë “Delta Farma”, por dhe në disa farmaci të tjera kryesisht të lokalizuara në Tiranë. Kontrolli ka nisur që prej mesditës së djeshme, në kuadër të një hetimi të ri të lidhur me kontratat që këto kompani kanë pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, kur drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kontrolli në “Delta Farma” dhe farmaci të tjera ka vijuar për orë me radhë, ndërsa mësohet se janë sekuestruar dokumente që mund t’i shërbejnë hetimit, e po ashtu edhe kompjutera të përdorur nëpër këto farmaci. Lidhur me këtë çështje të re penale, mësohet se po hetohet roli i ish-ministrit Ilir Beqaj, për të parë lidhjet që mund të ketë me pronarët e këtyre farmacive dhe sesi janë lidhur kontratat.

Pra, nëse janë lidhur me procedurë sipas ligjit, apo në mënyrë klienteliste, por ende nuk dihet se për cilat kontrata bëhet fjalë konkretisht. Po ashtu mësohet se kontrolle janë kryer edhe në disa banesa të personave, që dyshohet se kanë lidhje me ish-ministrin Beqaj. Kontrolle në këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj.

Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn. Ndërkohë, hetimi po mbahet sekret në mënyrë që mos ketë mundësi për prishje të provave.

KONTROLLI NË BANESË

Ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është kontrolluar banesa nga Policia e Shtetit dhe BKH-ja. Mësohet se kontrolli në banesën në Rrugën e Barrikadave është bërë në kuadër të hetimeve që po ndiqen për koncesionin e “Sterilizimit”.

Beqajt i është caktuar nga SPAK masa e shtrëngimit të paraqitjes në policinë gjyqësore dhe ndalimin e daljes jashtë vendit si person nën hetim për shpërdorim detyre në procedurat e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale. Beqaj është urdhëruar të paraqitet çdo të premte në Byronë Kombëtare të Hetimit, të mos largohet nga territori i Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës si dhe i ndalohet përdorimi i pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese për daljen jashtë shtetit.

Ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj. Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Rrapajt si përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor. Prej vitit 2021, Beqaj drejton Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës dhe në tetor të këtij viti, ai u bë pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ish-minstri i Shëndetësisë në telashe për “Sterilizimin”,

Policia dhe BKH-ja kontrollojnë banesën e Ilir Beqajt


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin