Në emër të çdo shqiptari, pavarësisht nëse jeton në veri a jug, fshat apo qytet, vitin e ardhshëm do të shpenzohen mesatarisht 263 mijë lekë. Për të ndërtuar rrugë, shkolla e ujësjellës, menaxhuar mbetjet apo për t’u mbrojtur nga zjarret e përmbytjet, është planifikuar një buxhet prej 737,4 miliardë lekë.
Ervin Mete, ministër i Financave dhe Ekonomisë, deklaroi: “Projektbuxheti i vitit 2024 që vjen para jush për shqyrtim, synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqënies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor, si edhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiscal”.
Mirëpo, pavarësisht se është buxheti më i madh ndonjëherë, qeverisë iu deshën vetëm pak minuta për ta miratuar, në një situatë të tensionuar dhe pa asnjë debat. Buxheti u votua me 74 vota pro dhe 4 kundër, ndërsa amendamentet e deputetëve të Partisë Demokratike për disa nene të tij u rrëzuan poshtë pa debat gjithashtu.
Klodian Muço, ekspert për ekonominë, shprehet: “Është për të ardhur keq pasi bëhet fjalë për ligjin më të rëndësishëm financiar, i cili në vendet e tjera të botës merr të paktën dy muaj kohë diskutime para se të votohet. Në Shqipëri kaloi për vetëm 5 minuta. Është për të ardhur keq se si u votuan kaq shpejt dhe pa asnjë diskutim plotë 7,2 miliardë euro”.
Në 10 vitet e fundit, madhësia e buxhetit është rritur me gati 70%. Sigurisht që ky do të ishte një lajm vetëm i mirë nëse, bashkë me paketën fiskale do t’i ishin nënshtruar një procesi të gjerë diskutimesh e analizash, ashtu si ka ndodhur vitet e kaluara.
Klodian Muço shprehet: “Është ndoshta i vetmi vit unik, pas atij të pandemisë që mbledhjet e komisioneve nuk u kryen në mënyrë fizike, por online. Procesi u bë edhe qesharak pasi në disa raste diskutimet u zhvilluan shpesh në kafene ku deputetët nuk ngurruan as të hanin bakllava”.
Nga buxheti, 61 bashkitë në vend do të kenë në dispozicion gati 72 miliardë lekë gjatë 2024-s. Agron Haxhimali, ekspert për financat vendore, shprehet: “Jemi vendi i fundit në Europën Juglindore për nivelin e shpenzimeve për banorë. Kjo tregon që nuk jemi aty ku duhet, ndaj edhe ka pakënaqësi”.
Pavarësisht se në rritje në raport me vitet e shkuara, ekspertë të financave vendore vlerësojnë se nxitimi për të miratuar buxhetin rrezikon që shpërndarja e tij të mos u përgjigjet nevojave që qytetarët kanë.
“U deshën vetën 5 minuta për miratimin e tij. Është dokumenti më i rëndësishëm i jetës një shteti. Kjo nuk më le shije të mirë. Gjithashtu, periudha për konsultime ishte shumë e ngushtë”, deklaroi Haxhimali.
Një në tre lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga 7 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2024, rreth 2,3 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”. Elona Hoxha, eksperte ekonomie, shprehet: “Ka disa dukuri që po e vënë buxhetin në krizë dhe besoj se në të ardhmen do të bëhen edhe më të forta. Fakti që popullsia po plaket, numri i të moshuarve ka arritur në 700 mijë, rreth 12-14 mijë pensionistë i shtohen skemës. Vazhdimisht, buxheti është i kërcënuar për të financuar mbrojtjen sociale”.
Fondi prej rreth 2,3 miliardë euro, vitin e ardhshëm pritet të shkojë për indeksimin e pensioneve, pagesën e ndihmës ekonomike apo papunësisë. Gjithashtu, një pjesë e parave do të shkojnë për rritjen e pagesës së asistencës sociale dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe ish-pronarët: “Ne e dimë që kemi rreth 40% të popullsisë në varfëri dhe ato duhet të ndihmohen që të dalin nga aty. Po mbështetja më e mirë nuk është rritja e ndihmës ekonomike, por forcimi i ekonomisë në përgjithësi”.
Nga ana tjetër, të jesh i madh, jo gjithmonë do të thotë se ke avantazh. Shembulli më i mirë në vend është bujqësia. Kontributi i saj në ekonomi është gati 22% e totalit, por vitin e ardhshëm sektori do të marrë vetëm 1,9% të Buxhetit të Shtetit. Nga 735,9 miliardë lekë në total, për të cilësuarin si “sektor parësor” do të ndahen më pak se 14,2 miliardë lekë.
Zef Gjeta, ekspert për bujqësinë, thekson: “Kam shkruar një artikull në vitet 2000 ku thosha se bujqësia është si puna e një lope që milet tre herë në ditë dhe ushqehet vetëm një herë. Kjo lopë, në këtë rast bujqësia, është e destinuar të vdesë”.
Sikur të mos mjaftonte që merr më pak se 2% nga “torta e buxhetit”, vitin e ardhshëm bujqësia do të ketë më pak para në dispozicion vitin e ardhshëm. Nga 15,6 miliardë lekë këtë vit, fondet për sektorin me të cilin punon dhe jeton gjysma e popullsisë përllogariten në më pak se 14,2 miliardë lekë apo rreth 134 milionë euro. Ndoc Faslia, ekspert për bujqësinë, thotë: “Duhet ta themi hapur. Të gjitha qeverisjet në këto 30 vite kanë qenë neglizhente për sa i përket politikave me fshatin. Mentaliteti i qeverive ka qenes e fshatari mori tokën e tij e tani le t’ia dalë vetë. Kjo ka qenë fatale për sektorin e bujqësisë”.
Shkurtimet e fondeve kanë ndodhur në drejtim të prodhimit dhe zhvillimit rural. Nga 10 miliardë lekë këtë vit, buxheti ulet në 7,2 miliardë lekë në 2024. Ndërkohë, ekspertë të fushës tregojnë edhe se sa para duhet të ketë në dispozicion sektori për të ecur përpara.
Ilir Pilku, ekspert për sektorin bujqësor, shprehet: “Unë them që minimalisht bujqësia duhet të ketë në dispozicion 800 milionë euro. E theksoj, minimalisht. Për të kapur ritmin e vendeve të tjera të rajonit. Më tej në Europë jemi larg konkurrencës”.
Me gjithë fondet e cunguara, nga bujqësia pritet shumë vitin e ardhshëm. Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon që eksportet bujqësore të arrijnë në gati 51 miliardë lekë, duke punësuar rreth 568 mijë vetë. Gjithashtu, pritshmëritë janë që sektori të zgjerohet me 2,4% gjatë 2024-s.
Vitin e ardhshëm do të dalin nga buxheti i shtetit 128.5 miliardë lekë apo rreth 1.2 miliardë euro për investime publike. Në raport me 2023, shpenzimet që do të shkojnë kryesisht për infrastrukturën rrugore dhe zgjerohen me rreth 200 milionë euro.
Një pjesë e këtyre parave do të shpenzohen për projektet koncesionare, fatura totale e të cilave shkon në 14,3 miliardë lekë apo rreth 135 milionë euro. Në raport me vitin aktual, pagesat për koncesionet do të rriten me rreth 300 milionë lekë.
Megjithëse në sekuestro nga SPAK, “Financat” kanë caktuar mbi 1 miliardë lekë për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës. Ndërkohë, mbi 1,7 miliardë lekë janë pagesat për “sterilizimin”, një tjetër investim koncesionar i marrë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Për “dializën”, “check-up” dhe portin e jahteve Orikum-Dukat do të dalin nga arka e shtetit rreth 2,5 miliardë lekë.
Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përjashtuar nga pagesat inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, gjithashtu nën hetim për korrupsion nga SPAK. Për vitin e ardhshëm nuk do të ketë pagesa as për projektin e triportit në Vlorë.
Krahas projekteve në vazhdim, fondi i investimeve publike vitin e ardhshëm do të përfshijë edhe një sërë projektesh për ujësjellës-kanalizime, rikonstruksionin e disa shkollave të mesme profesionale, rikonstruksionin e disa spitaleve dhe qendrave shëndetësore.
Vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të paguajë pas vendimeve të gjykatave të arbitrazhit dhe asaj Europiane për të Drejtat e Njeriut një faturë prej 195 milionë euro apo 20,5 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj shume, që deri në shtator të këtij viti përllogaritet në 173,2 milionë euro duhet të shkojë për të dëmshpërblyer kompanitë, kontrata me të cilat është prishur në mënyrë të padrejtë nga shteti shqiptar. Çështjet që përbëjnë pjesën më të madhe të kësaj fature janë për gjyqet e humbura me biznesmenin italian, Becchetti ajo e kompanive “Copri dhe Actor”, “GBC Oil Company” dhe “Phoenix Petrolum”.
Gazetari Gjergj Erebara thotë: “Në rast se nuk do t’i kishim këto fatura, për një vit, qeveria do të mundej të rriste pensionet me 3 mijë apo 4 mijë lekë. Në vend që të bëjë këtë, po paguan papërgjegjshmërinë e vet”.
Pjesa tjetër e faturës 200 milionë euro përbëhet nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ministria e Financave dhe Ekonomisë raporton se detyrimet totale janë në vlerën e 21,8 milionë euro, prej të cilave 17,9 milionë janë nga vendimet tashmë të marra, ndërsa pjesa tjetër nga proceset ende në gjykim. “Sharrxhi”, “Rista” dhe “Sharra” kundër Shqipërisë janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të dëmit ekonomik që do të paguhet nga qytetarët shqiptarë.
“Në vend që të blihen ilaçe për spitalet e vendit, merren këto para për të paguar këtë detyrim që do paguhet nga taksat tona”, shton Erebara.
Duke i konsideruar si “skandaloze” vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit pranë Bankës Botërore, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar edhe daljen e Shqipërisë nga juridiksioni i saj. Kjo për të mos paguar faturat që shtohen vit pas viti.
“Kjo është e pamundur. Normalisht që je i detyruar t’i paguash dhe nuk ka asgjë në botë që të mbron. Vetëm vende si Koreja e Veriut mund t’iu shmangen. Nuk është faji i gjykatave, është papërgjegjshmëria e qeverive”, shpjegon gazetari i ekonomisë.
Veçanërisht në dekadën e fundit, buxheti në dispozicion ka ardhur duke u zgjeruar, me një popullsi në rënie nga ana tjetër. Rrjedhimisht, të paktën teorikisht paratë në dispozicion për banorë janë shtuar. Por, ajo që vijon të ndodhë është se buxheteve iu mungon një qasje e mirëpërcaktuar për të mbështetur qytetarët, përtej rrafshit social. Fut këtu faktin se buxheti i vitit 2024 u miratua thuajse pa diskutime e konsultime me opozitën, pavarësisht se më i madhi në histori, ai sërish nuk ofron shumë për shqiptarët.