Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin për sigurimet shoqërore, pension pleqërie do të mund të përfitojnë të gjithë të siguruarit që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, dhe që kanë arritur moshën e përcaktuar nga ligji përkatës. Ndërsa nënat, që kanë lindur 6 apo më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim.
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të këtij ligji. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Personat e siguruar gjithashtu kanë të drejtë të aplikojnë për pension pleqërie të reduktuar. Procedurë të cilën mund ta bëjnë deri në tre vite para mbushjes së moshës së daljes në pension. Pensioni i reduktuar përfitohet kur aplikuesit kanë plotësuar vitet e sigurimit, si dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar.
Por duhet që të dini se pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.