MENU
klinika

Kriptomonedhat do të “shkëlqejnë”! Po nafta?

Çfarë i pret tregjet financiare në vitin 2024

01.01.2024 - 18:29

Tradita e parashikimit të tregjeve financiare është e njohur tashmë, por edhe frekuenca me të cilën shumë vëzhgues të tregut gabojnë, është gjithashtu një tjetër temë e njohur. Sidomos pas vitit 2023, i cili në vetvete ishte një vit që nuk shkoi sipas planit. Një detyrë sfiduese, por që ia vlen të provohet. Edhe nëse parashikimet rezultojnë të pasakta, procesi i analizimit të tendencave të tregut dhe aktorëve kryesorë në vetvete është një ushtrim produktiv që përmirësohet gjithmonë e më shumë. Pra, kur bëhet fjalë për të bërë parashikime për vitin në vijim, shumë analistë mbajnë një qëndrim konservator, duke i shoqëruar vlerësimet e tyre për rënie apo rritje, edhe me disa paralajmërime se mund të ndodhë e kundërta.

Në vitin 2022, ndërsa bankat qendrore më të mëdha në botë nisën një regjim të paprecedentë të rritjes së normave të interesit, në përpjekje për të kontrolluar inflacionin e lartë, investitorët shitën aksione, duke rezultuar në një rënie prej 18% të indeksit S&P 500. Por, viti 2023 ka qenë shumë më i mirë për tregjet. Ngadalësimi i inflacionit e ka lejuar Rezervën Federale, të “heqë këmbën nga gazi”, një shenjë inkurajuese që banka qendrore mund të jetë në gjendje të krijojë të ashtuquajturën “ulje të butë”, që do të thotë se ekonomia do të ngadalësohet mjaftueshëm sa për të ftohur inflacionin, por pa u futur në recesion. Investitorët u përgjigjën pozitivisht ndaj këtyre zhvillimeve, duke bërë që indeksi S&P 500 të rritet me rreth 25% për vitin 2023. Ky indeks merret për bazë nga investitorët dhe sinjalizon gjendjen e ekonomisë, pasi përbëhet nga kompanitë e të gjithë sektorëve. Në vijim do të shohim parashikimet për disa prej tregjeve kryesore.

Parashikimi për tregun e monedhave në 2024

Sipas bankës globale HSBC, parashikohet që dollari amerikan të dobësohet shumë nga mesi i vitit 2024, duke ndikuar në tregtinë Forex dhe ekonominë globale. Këto parashikime u japin tregtarëve informacion të rëndësishëm për marrjen e planeve dhe vendimeve. Rezerva Federale, vendimet e së cilës kanë një efekt të madh në tregun e monedhave, pritet të shmangë uljen e normave të interesit në fillim të vitit 2024, pavarësisht pritshmërive për të kundërtën. Banka Qendrore Evropiane ka të ngjarë të mbajë një qëndrim më të ashpër, i cili mund të forcojë euron kundrejt dollarit. Megjithatë, ekziston një shans për një recesion global; nëse kjo ndodh, dollari amerikan mund të bëhet më tërheqës për tregtarët sepse vlerësohet si një aset i sigurt në periudha të rënies ekonomike. Tre zhvillime kryesore do të formësojnë ekonominë globale dhe tregun e Forex gjatë 2024-ës: Vendimi i Rezervës Federale në SHBA mbi normat e interesit mund të ndikojë dollarin dhe tregun global të Forex; Zhvendosja nga qymyri dhe nafta drejt gazit natyror për të prodhuar energji, do të ndikojë gjithashtu në ekonomitë dhe monedhat e tyre; dhe së fundmi tensionet midis SHBA dhe Kinës mund t’i bëjnë tregjet aziatike më tërheqëse.

Franga zvicerane parashikohet të forcohet në pjesën e parë të vitit, ndërsa më pas mund të kthejë një pjesë të fitimeve. Pritshmëritë për një rimëkëmbje të kërkesës globale, mund të ofrojnë një mbështetjet të mundshme për eksportet zvicerane. Megjithatë, kërkesa e konsumatorëve mund të humbasë vrullin për shkak të ngadalësimit të ekonomive anembanë botës që ndikojnë në tregun e punës. Papunësia në Zvicër parashikohet të rritet nga një mesatare prej 2% në 2023 në 2.3% në 2024.

Edhe dollari australian parashikohet të forcohet përballë dollarit amerikan. Kompania e shërbimeve bankare parashikon një kurs këmbimi AUD/USD prej 0.76 deri në qershor 2024, nga rreth 0.65 që është raporti aktualisht. Ndërsa Banka Kombëtare e Australisë parashikon një raport prej 0.78 për të njëjtën periudhë. Këto parashikime shënojnë një rritje nga vlerësimet e mëparshme, duke demonstruar optimizëm për rimëkëmbjen e dollarit australian. Zhvillimet e vazhdueshme ekonomike, dinamika gjeopolitike dhe zgjidhja e pasigurive globale ka të ngjarë të formësojnë trajektoren e dollarit australian kundrejt USD në 2024.

Ndërkohë, dollari kanadez gjithashtu pritet të forcohet në gjysmën e parë të vitit 2024. Analistët janë gjithnjë e më optimistë për perspektivat e dollarit kanadez. Projeksioni mesatar nga afro 40 analistë të tregut të monedhave sugjeron një rritje potenciale prej 2%, për ta forcuar monedhën në 1.31 për dollar amerikan, ose ekuivalente me 76.3 cent amerikan, brenda gjysmës së parë të 2024. Por, në këtë performancë në dollarit kanadez mund të ndikojë performanca e ekonomisë, sepse OECD parashikon që ekonomia e Kanadasë që rritet poshtë mesatares prej 1.4%.

Në anën tjetër, paundi britanik mund të ndryshojë trendin rënës. Mbretëria e Bashkuar përballet me disa sfida, duke përfshirë një skenar të mundshëm stagflacioni dhe rritje modeste ekonomike në vitin 2024, të ndikuar nga inflacioni i lartë dhe politika monetare kufizuese. Perspektiva themelore e paundit është e zymtë, me një rritje modeste që pritet në vitin 2024. Paundi mund të dobësohet më tej në gjysmën e parë të vitit 2024, ndoshta duke arritur në 1.17 dhe më pas të rikthehet. Edhe pse parashikimet nga institucione të ndryshme ndryshojnë, ato sugjerojnë të njëjtën perspektivë për paundin në vitin 2024; një tendencë e mundshme rënëse deri në mesin e vitit 2024 dhe më pas një ndryshim i mundshëm. Inflacioni, megjithëse i lartë, parashikohet të bjerë pranë objektivit prej 2% në tremujorin e dytë 2024, duke sinjalizuar potencialisht një fund të rritjes së normave të interesit nga Banka e Anglisë.

Ndërkohë, dollari amerikan pritet të ndjekë një prirje të butë rritëse. Faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë projeksion janë të lidhura me dinamikën e ekonomisë globale dhe në ndryshimet e parashikuara të politikës monetare të SHBA. Sipas Goldman Sachs, ulja e normave të interesit në intervalin 4%-5% deri në dhjetor 2024, do të bëjnë që ekonomia amerikane të arrijë një rritje modeste prej 0.5%-1%. Në përgjigje të kësaj, Rezerva Federale, duke iu përmbajtur mandatit të saj të dyfishtë për trajtimin e inflacionit dhe maksimizimin e punësimit, mund të zbatojë ulje të interesave, që analistët parashikojnë se do të jetë deri në 150 pikë bazë, duke filluar nga tremujori i dytë i 2024. Sipas një raporti të JP Morgan, inflacioni në SHBA do të mbetet e lartë në 2024, mbi 3%.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, do të shohim edhe parashikimet për raportin EUR/USD, një ndër çiftet kryesore të monedhave në botë ose çifti më i tregtuar në Forex. Së pari, drejtimi që do të marrë raportin EUR/USD mund të pasqyrojë fuqinë e ekonomisë të BE-së ose të SHBA-së. Gjithashtu, kursi euro/dollar mund të pasqyrojë ndjenjën e përgjithshme të tregut global. Duke qenë se është çifti më i tregtuar në botë, mund të jetë më e vështirë të parashikohet ecuria në terma afatgjatë. Norma e këmbimit euro/dollar është subjekt i faktorëve të tillë si diferencat e normave të interesit, inflacioni, të dhënat e vendeve të punës, tregtia dhe flukset e kapitalit. Sipas parashikimit të Bloomberg, raporti euro/dollar do të arrijë në 1.15 në tremujorin e tretë të vitit 2024 dhe deri në 1.18 në të katërtin. Ndërsa Bank of America vlerëson se deri në fund të vitit, euro do të rritet deri në 1.15 përballë dollarit. Në një shënim për klientët e saj, banka shkruan: “USD është historikisht i mbivlerësuar dhe ne presim që ai të dobësohej në afatmesëm, por rruga është e pasigurt dhe i nënshtrohet shumë rreziqeve”. Në përgjithësi, shumica e ekspertëve dhe institucioneve financiare besojnë se euro do të dalë nga kanali aktual i çmimeve dhe do të kalojë në një të ri, me kufirin e poshtëm në 1.15 dhe atë të sipërm në 1.3.

Për kriptomonedhat pritet një tjetër vit “yjor”

Publikimi i rregullit të shumëpritur të kontabilitetit të kriptove nga Bordi i Standardeve të Kontabilitetit Financiar është rregulli i parë që është nxjerrë sipas Parimeve të Kontabilitetit të Pranuara Përgjithësisht. Lejimi i firmave që mbajnë kripto në bilanc për të raportuar këto aktive me vlerën e drejtë të tregut, si dhe përshkrimi i rregullave shtesë të raportimit është hap i parë i vlefshëm drejt rregullave më gjithëpërfshirëse të kësaj hapësire. Ndërsa standardi i kontabilitetit është i ngushtë në fushëveprim dhe nuk trajton një gamë të gjerë kriptoasetesh, kjo hap derën për zhvillime të mëtejshme në vitin 2024.

Së pari, parashikimi më i sigurt për vitin 2024 është miratimi i një Fondi të Tregtueshëm në Shkëmbim (ETF) në bitcoin, pasi shumë aplikime janë nën shqyrtim në Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC) në SHBA. Me firma të tilla si Ëisdom Tree, Invesco, Franklin Templeton dhe Blackrock që kanë paraqitur propozime, shanset për miratim vazhdojnë të rriten. Përveç legjitimitetit që një produkt i tillë si bitcoin do të shtohet në sytë e komunitetit jo-ekspert, ka disa përfitime të tjera që do të krijonte miratimi i një ETF-je. Këto përfitime përfshijnë presionin më të madh për më shumë transparencë, një debat më të pjekur mbi rolin e kriptoaseteve në hapësirën e pagesave dhe zbutjen e retorikës që kriptomonedhat nuk janë as produktive dhe as të përshtatshme. Pavarësisht se cili institucion merr miratimin e parë, ky do të jetë një zhvillim pozitiv për sektorin.

Kriptomonedha Tether vazhdon ta gjejë veten nën një kontroll rregullator në rritje, pasi një raport i fundit i S&P e rendit si entitetin emetues ashtu edhe vetë tokenin si me rrezik të lartë. Arsyet përfshijnë faktorë si; mungesa e transparencës rreth politikave të emetimit, pikëpyetjet rreth përbërjes së rezervave, dyshimet për vërtetësinë dhe raporteve të tjera financiare dhe hezitimi i lidershipit të Tether për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht gjithë kësaj, Tether mbetet “stablecoin”-i më i madh dhe më likuid në treg, duke luajtur një rol kyç në sektorin “DeFi” ose Financës së Decentralizuar”.

Ndërkohë, bankat në SHBA pritet t’i përqafojnë pagesat e tokenizuara. Ky është një tjetër parashikim relativisht i lehtë për t’u bërë për vitin 2024, dhe shumë nga institucionet më të mëdha financiare në botë kanë bërë tashmë pagesa të tokenizuara që funksionojnë në “blockchain”-et e ndërmarrjeve. Këtu përfshihet edhe banka J.P. Morgan, pavarësisht se CEO i saj, Jamie Dimon, deklaron se ai personalisht do ta hiqte kriptomonedhat nga tregu amerikan, nëse do të kishte autoritetin për ta bërë këtë. Krahas bankave, ka pasur edhe disa lëvizje nga procesuesit e pagesave për të lejuar, përshpejtuar ose të paktën mundësuar pagesat e tokenizuara. Përpjekjet përfshijnë zgjerimin e vazhdueshëm të produkteve dhe shërbimeve kripto nga PayPal, që nuk është vetëm një emër i njohur në SHBA, por gjithashtu ka një histori të gjatë që daton që nga viti 2014 në sektorin e kriptove.

Parashikimet e çmimeve janë gjithmonë një mënyrë e mirë për të gjykuar gjendjen aktuale të tregut. Një vlerësim më konservator është se bitcoin, për shkak të faktorëve të përshkruar më sipër, ka shumë të ngjarë të arrijë vlerën e 60,000 dollarëve në 2024. Edhe pse ende nën nivelet më të larta të të gjitha kohërave, kjo sigurisht që do të ishte një rikuperim i shëndetshëm për sektorin. Por ka edhe parashikime më optimiste, pasi banka Standard Chartered ritheksoi projeksionin e mëparshëm se Bitcoin do të arrijë një vlerë prej 100,000 dollarë deri në fund të vitit 2024. Banka parashikon që ETF-të e shumta “spot” në bitcoin dhe ethereum ka të ngjarë të miratohen në fillim të vitit 2024, duke hapur kështu rrugën për rritjen e investimeve institucionale. Standard Chartered citoi edhe “përgjysmimin” e ardhshëm të bitcoin, një ngjarje që kufizon ofertën e monedhës dhe që parashikohet të ndodhë më 17 prill 2024, si një faktor shtesë që mund të kontribuojë në rritjen e mundshme të çmimeve drejt 100,000 dollarëve. Në përgjithësi, 2023 ishte një vit i jashtëzakonshëm për tregun e kriptomonedhave dhe 2024 pritet të jetë akoma më i ngjeshur me lajme dhe zhvillime.

Tregu i naftës pritet të përballet me sfida të mëdha në 2024

Tregjet globale të naftës pritet të përballen me sfida serioze gjatë vitit 2024. Një recesion i mundshëm, ngadalësim i ekonomive më të mëdha të botës, kërkesa më e vogël se sa pritej dhe më pak prodhim nga OPEC+ do të jenë ngjarjet kryesore që do të përcaktojnë tregjet e naftës në 2024. Fillimisht, gjatë vitit që sapo u mbyll ngjarja më e rëndësishme ishte ulja e zgjatur e prodhimit nga OPEC+, që prodhon rreth 40% të naftës në botë. Në prill 2023, grupi njoftoi shkurtime shtesë prej 1.65 milion fuçi në ditë, që iu shtua reduktimit të pëparshëm prej 2 milionë fuçi në ditë. Kjo do të korrespondonte me shkurtime prej rreth 3.65 milionë fuçi në ditë, barabartë me rreth 3% të kërkesës globale për naftë. Tregjet reaguan pozitivisht ndaj këtij zhvillimi dhe çmimet e naftës u rritën. Çmimet gjetën një tjetër mbështetje në qershor 2023, kur Arabia Saudite, lideri de fakto i OPEC dhe 1 nga 3 prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, vendosi të ulte vullnetarisht prodhimin me një shtesë prej 1 milionë fuçi naftë në ditë, me synimin për të mbështetur stabilitetin e tregjeve të naftës. Çmimet arritën kulmin në 97 dollarë, me një rritje vjetore prej prej 25%. Më tej, në nëntor të 2023, OPEC+ ra dakord të zgjasë shkurtimet e prodhimit edhe në tremujorin e parë të 2024. Gjithsesi, investitorët dhe analistët kishin dyshime të mëdha mbi mënyrën se si OPEC+ do të zbatonte këtë marrëveshje, pasi disa vende afrikane ishin kundër reduktimit të kuotave të prodhimit. Vitin 2023, nafta Brent, që është bençmarku global, e mbylli pranë 80 dollarëve për fuçi. Përsa i përket vitit 2024, analistët presin një ofertë të bollshme, për shkak të një ngadalësimi të aktivitetit ekonomik, të kombinuar me rritjen e prodhimit nga SHBA, që së fundmi arriti nivelin më të lartë në histori prej 13.2 milionë fuçi në ditë. Për më tepër, Brazili, Guajana, Norvegjia dhe Kanadaja do t’i mbajnë tregjet me naftë të bollshme. Për këto arsye, analistët mendojnë se mundësitë që çmimet e naftës të arrijnë në 100 dollarë për fuçi, nëse nuk do të ketë ndonjë tension gjeopolitik, janë shumë të ulëta. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se konsumi global për naftë në 2024 do të rritet me 1.1 milionë fuçi në ditë, por theksoi se prodhimi nga vendet jo anëtare të OPEC do të rritet me 1.2 milionë fuçi në ditë. Për sa i përket çmimit, analizat teknike tregojnë se ka një mbështetje të konsiderueshme për naftën bruto amerikane në 65 dollarë dollarë për fuçi dhe për naftën Brent në 60 dollarë, në skenarit nëse ekonomia globale do të goditet nga një recesion. Ndërsa në skenarin e ngadalësimit të ekonomisë globale, Goldman Sachs parashikon se nafta Brent do të ketë një çmim mesatar prej 80 dollarë për fuçi në vitin 2024. Tendenca më e rëndësishme që duhet ndjekur për të kuptuar më mirë perspektivën e çmimeve të naftës për vitin 2024 është gjendja e ekonomisë globale, pasi kërkesa për naftë është e lidhur ngushtë me aktivitetin ekonomik. Teksa hyjmë në vitin 2024, treguesit për ekonominë botërore nuk duken shumë të fortë dhe probabiliteti i një recesioni, pavarësisht sugjerimeve për një “ulje të butë”, është ende i lartë. Si rezultat, çmimet e naftës në vitin 2024 do të kenë më shumë potencial në rënie sesa në rritje.

Tregjet e aksioneve do të mbështeten nga bankat qendrore

Me bankat qendrore që pritet të ulin normat e interesit në vitin 2024, shumë parashikojnë një vit të fortë për ekonominë dhe tregun e aksioneve, por disa janë më entuziastë se të tjerët. Mos prisni një recesion, por mos prisni që gjërat të shkojnë plotësisht pa probleme, thotë Kristina Hooper, kryestratege e tregut global në Invesco. “Mendoj se do të ketë disa dëme në ekonomi. Pra do të jetë një “ulje e butë” e ekonomisë, por do të ketë disa pengesa”, shton ajo, duke pasur parasysh sa shumë dhe sa shpejt janë rritur normat e interesit gjatë 2022 dhe 2023. Të dhënat e fundit ekonomike vërtetojnë teorinë se 2024 do të jetë viti i uljes së normave të interesit dhe kjo është shumë pozitive për tregjet e aksioneve. Një rënie e interesave në mbarë botën duhet të paraqesë një vit të mirë për tregjet dhe më pak mundësi për një recesion. Por, gjendja aktuale e ekonomisë nuk është një panoramë e shëndetshme. Inflacioni i vazhdueshëm ka tkurrur buxhetet e konsumatorëve, të cilët po tregohen më selektivë në blerjet e tyre. Njëkohësisht, falimentimet gjatë vitit 2023 ishin më të larta se 2022, një trend që mund të vazhdojë edhe gjatë 2024-ës, pasi shumë kompani, sidomos të vogla dhe të mesme do të kenë vështirësi me financimin. Gjithashtu, mund të shohim një tendencë të rritjes së papunësisë, pasi bizneset do të vazhdojnë edhe për pak kohë nën regjimin e normave të larta të interesit. Tek e fundit, të gjitha këto janë pjesë shumë të natyrshme të asaj që ndodh kur bankat qendrore rrisin normat e interesit. Pritshmëritë e përgjithshme janë që ekonomia globale të përballet me një ngadalësim në gjysmën e parë të vitit 2024 dhe me një rritje reale në gjysmën e dytë. Një tjetër faktor që analistët besojnë se nuk do të ketë recesion është tregu i banesave. Pothuajse çdo recesion që nga Lufta e Dytë Botërore është karakterizuar nga një rënie e sektorit të pasurive të paluajtshme. Kombinimi i një ekonomie elastike, sidomos në SHBA, dhe një bum i vazhdueshëm në inteligjencën artificiale, ka të ngjarë që tregjet ta gjejnë veten në një trajektore rritëse në vitin 2024.

Analistët parashikojnë se aksionet në sektorin financiar dhe të pasurive të paluajtshme mund të rriten, gjatë vitit 2024, pasi kanë pasur një periudhë të vështirë në dy vitet e fundit dhe nuk janë rikthyer plotësisht sikurse shumica e sektorëve të tjerë. Një tjetër mundësi investimi mund të jenë aksionet e kompanive jo shumë të mëdha, nga tregjet në zhvillim. Por, veçanërisht për investitorët e rinj, përpjekja për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në treg në vitin 2024 është më pak e rëndësishme sesa përvetësimi i historisë së tregut dhe zbatimi i planeve afatgjata. Në fund të fundit është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë dhe këtë e konfirmon e kaluara. Në fillim të vitit 2022, nuk pritej që bankat qendrore më të mëdha në botë të rrisin normat e interesit. Kjo i kapi analistët dhe investitorët të papërgatitur. Gjithashtu, nuk pritej që në vitin 2023, ekonomia amerikane të performonte mjaft mirë, në një ambient me norma të larta të interesit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!