MENU
klinika

"Në Shqipëri erdha për turizëm"

Zbardhet dëshmia e portugezit: S’e njoh viktimën

02.01.2024 - 12:12

Portugezi Ruben Saraiva ka mohuar para gjykatës së Lezhës të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, vitin e kaluar.

Në dëshminë e tij ai tha se nuk ka lidhje me ekzekutimin dhe se në Shqipëri ishte për pushime.

“Nuk e kam njohur viktimën dhe emrin e tij e kam mësuar nga mediat”, ka thënë ai.

Gjithashtu ka kërkuar edhe të njihet me dosjen.

Gjykata e Lezhës ka vendosur masë “arrest në burg pa afat” për shtetasin portugez, Ruben Saraiva. Seanca gjyqësore u zhvillua në orën 10:00 të kësaj të marte nën masa të rrepta sigurie.

Vetëm dy ditë më parë, tetë muaj pas vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt, me pranga në duar u ekstradua nga Maroku, drejt Shqipërisë Ruben Ribeiro Saraiva, i dyshuar nga drejtësia shqiptare si ekzekutues i biznesmenit.

Ndërkohë avokati i caktuar nga shtetit Elton Laska në një komunikim për mediat sqaroi se Prokuroria kërkoi masën arrest me burg.

“Prokuroria kërkoi masë arresti me burg, deklarimi i tij ishte që nuk kishte asnjë lidhje me këtë ngjarje. Gjykata e garantoi që do të kishte në dispozicion të gjithë fashikuj gjyqësor brenda një afati të parashikuar nga ligji dhe ai rezervoi të drejtën për të shprehur në një moment tjetër. Reagimi i tij ishte se nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen dhe se e ka marrë vesh nëpërmjet mediave. Në Shqipëri kishte ardhur për pushime”, ka deklaruar avokati Elton Laska.

Të arrestuar në Britani të Madhe për vrasjen e Nikulajt, janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.