MENU
klinika

Financimi i ulët mund të reduktojë prodhimin vendas

Viti 2024, sprovë për ri-ngritjen e bujqësisë!

02.01.2024 - 17:03

Prej rreth 3 vitesh, bujqësia që punëson 1/3 e popullsisë dhe kontribuon në rritjen ekonomike me mbi 20%, ka hyrë në një spirale krize. Për vitin 2024, pritet hartimi i një pakete të re për mbështetjen e fermerëve me qëllim rimëkëmbjen e tyre.

Por teksa fermerët presin këtë paketë të premtuar, buxheti i vënë në dispozicion të tyre për këtë vit është më i ulët se ai i vitit që lamë pas.

Për vitin 2024 Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i janë vënë në dispozicion 14.1 miliardë lekë nga mbi 15 miliardë lekë që ishte buxheti në vitin 2023.

“Nuk prisnim këtë, prisnim një rritje të buxhetit. Ne do të jemi më pak të konkurrueshëm do të kemi probleme me eksportin e produkteve”, thotë kryetari i Agrobiznesit Agim Rrapaj.

Për zhvillimin rural, ku bëjnë pjesë skemat mbështetëse të fermerëve, janë caktuar në buxhet 7.2 miliardë lekë nga 9.7 miliardë që ishte financimi i vitit 2023.

“Çfarë do të thotë buxhet më i ulët për bujqësinë?

“Kjo do të thotë kosto më e lartë e produkteve të fermerëve, kjo do të thotë rritje shpenzimesh për fermerët, kjo do të thotë konkurrencë më e dobët me rajonin, kjo do të thotë më pak ujitje dhe kullim, kjo do të thotë më pak subvencion për fermerët, do të thotë ulje e nivelit të prodhimit”, shprehet Rrapaj.

Për shkak të rënies në sektorin e bujqësisë, e ndikuar më së shumti nga mungesa e fuqisë punëtore, financimi i ulët, emigrimi, por edhe tkurrja e sektorit blegtor etj, ndikimi në rritjen ekonomike përgjatë vitit 2023 ishte negativ, duke dëshmuar nevojën për ndërhyrje me masa mbështetëse.

Referuar të dhënave të INSTAT, ‘Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit’ shënoi rënie prej 0,50% në tremujorin e tretë të këtij viti në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

BUXHETI I BUJQËSISË
Viti 2023 15,039,232 mijë lekë
Viti 2024 14,180,500 mijë lekë
Diferenca -858,732 mijë lekë
BUXHETI PËR ZHVILLIMIN RURAL
Viti 2023 9,709,871 mijë lekë
Viti 2024 7,247,794 mijë lekë
Diferenca -2,462,077 mijë lekë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


PS-së po i plasin skandale korrupsioni njëri pas tjetrit

DW: Qeveria Rama u riformatua pas goditjeve nga SPAK!