MENU
klinika

Nga dekorimet e veshjet, te pajisjet teknologjike

Për çfarë shpenzuan më shumë shqiptarët në fundvit?

05.01.2024 - 10:59

Ndonëse me pasiguri ekonomike dhe me ndryshime në sjelljet e konsumatorëve, festat e fundvitit shpesh shërbejnë si një periudhë kur shqiptarët janë të gatshëm të shpenzojnë më shumë.
Përveç traditave të zakonshme të blerjeve, si veshje festive, dekorime dhe ushqime të posaçme, ka pasur edhe një rritje e interesit për produkte të veçanta dhe oferta të kufizuara. Këtu përfshihen kërkesa të larta për blerje të pajisjeve teknologjike si televizorë smart apo celularë të rinj, si dhe produkte të limituara që sjellin një ndjenjë unike dhe ekskluzive për festat: siç janë pemët artificiale apo natyrale dhe dekorimet shoqëruese.

Megjithatë, kjo nuk ka qenë panoramë për të gjithë shtresat e shoqërisë. Inflacioni dhe rritja e kostos së jetesës kanë ndikuar në shpenzimet festive të shqiptarëve. Në disa raste, kjo ka çuar në rregullime të sjelljes së konsumatorit, duke i bërë ata më selektivë në zgjedhjen e produkteve dhe më të kujdesshëm në menaxhimin e buxhetit festiv. Familjet me të ardhura nën mesatare janë kufizuar në produktet ushqimore të nevojshme.

Sipas një vëzhgimi, produkte të preferuara gjatë festave të fundvitit kanë qenë:

– Veshje festive dhe aksesorë: Shqiptarët kanë vazhduar të preferojnë blerjen e veshjeve festive dhe aksesorëve për të festuar këtë periudhë. Kjo përfshin rroba të veçanta të viti të ri, duke mos harruar edhe aksesorët e dekorit. Nga një atelie pohojnë se kanë kërkuar rroba të veçanta të dizajnuara posaçërisht për këtë rast, përfshirë ngjyra të ndritshme dhe motive simbolike. Një bluzë e personalizuar nis me 1500 lekë. Kërkesat kanë qenë më të përqëndruara për fëmijët, për shkak të angazhimeve festive në kopshte dhe shkolla. Sa i përket dekoreve, pohohet se ky vit ka pasur një boom shitjesh të bredhave artificialë dhe natyralë, kostoja për të cilat nis me 8000 lekë. Dhe dekorimet e tjera plotësuese kanë qenë të kërkuara.

– Ushqime dhe Pije: Në këtë kohë të vitit, konsumatorët shqiptarë kanë shfaqur një interes të veçantë për ushqimet dhe pijet festive. Përfshirë këtu ëmbëlsirat tradicionale, mishin dhe pijet e importuara. Sipas informacioneve të marra nga një market, shitjet javën e fundit të dhjetorit kanë qenë të përqendruara kryesisht se pijet, bulmeti. Ndërsa një pastiçeri bën me dije se porositë e bakllavave kanë qenë të larta, kostoja e të cilave ishte mesatarisht 1500 lekë/kg

– Elektronika: Një rritje në blerjet e produkteve elektronike dhe pajisjeve të zgjuara është vërejtur gjatë festave të fundvitit. Kjo përfshin blerjen e telefoneve të reja, pajisjeve inteligjente për shtëpi, dhe produkteve teknologjike të tjera. Nga një dyqan me pajisje elektroshtëpiake dhe jo vetëm bëhet me dije se kërkesat kanë qenë të përqëndruara kryesisht drejt televizorëve smart, ofertat e të cilave kanë variuar drejt kostove 50 mijë lekë.

-Gjithashtu, edhe shërbimet fotografike kanë qenë të kërkuara. Me rritjen e përdorimit të mediave sociale dhe dëshirën për të dokumentuar çdo moment të rëndësishëm, ka pasur një kërkesë e lartë për shërbime fotografike profesionale. Sipas një studioje, kanë kërkuar kryesisht fotografitë e organizuara në studio për shkak të temperaturave më të ulëta por edhe në ambiente të veçanta festash . kosto për këto shërbime nis me 10 mijë lekë./Monitor