MENU
klinika

Ja kush janë

Në Shqipëri 1 në 4 persona është pensionist, zbuloni cilat janë dy qarqet më të reja në vend

05.01.2024 - 14:26

Treguesit demografikë flasin për rënie të numrit të lindjeve dhe plakje të popullsisë së vendit nga viti në vit, duke prodhuar kështu më shumë pensionistë. Pa marrë në konsideratë emigracionin, të dhënat tregojnë se numri i popullsisë po bie me ritme të shpejta ndikuar vetëm nga rënia e lindjeve dhe indeksit të fekonditetit. Në vitin 2022, qarku me popullsinë mesatare më të madhe në Shqipëri ishte i Tiranës, me 922,386 banorë, i ndjekur nga qarku i Durrësit me 290,561 banorë.

Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë mesatare më të vogël në vitin 2022 ishin ai i Gjirokastrës dhe Kukësit, respektivisht me 54,296 dhe 72,133 banorë. Gjatë vitit 2022, vetëm popullsia e qarkut të Tiranës është rritur, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin një normë negative të rritjes së popullsisë. Nëse afrohemi pak në kohë dhe analizojmë shifrat e tremujorit të tretë të viti sa i përket lindjeve, shohim se qarku që regjistroi numrin më të ulët të lindjeve ishte Gjirokastra me 115 lindje gjithsej. Ky qark ka qenë në tkurrje përgjatë gjithë vitit të kaluar.

“Scan Intel” ka analizuar të dhënat e “Institutit të Sigurimeve Shoqërore” për të kuptuar sesi është shpërndarja e popullsisë pensioniste sipas drejtorive rajonale. Të dhënat publikuara nga ISSH i përkasin periudhës Janar-Qershor të vitit 2023, ku gjatë kësaj periudhe rezultojnë se në vendin tonë përfitojnë pension pleqërie 579,877 individë gjithsej, nëse analizojmë pensionet urbane dhe ato rurale së bashku.

Nga të dhënat e INSTAT, referuar “Vjetarit Rajonal Statistikor”, konkludojmë se nga shpërndarja e popullsisë sipas tre grup-moshave kryesore, në katër qarqe ka më shumë të rinj krahasuar me të moshuarit, ndërsa në tetë qarqet e tjerë numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve, përkatësisht në Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë.

Shifrat tregojnë se Gjirokastra është qarku më i plakur në vend. Në këtë qark janë gjithsej 23,837 pensionistë, ndërkohë që popullsia e regjistruar në Janar të vitit 2023 në qarkun e Gjirokastrës është 53,314 banorë. Pra në Gjirokastër 1 në 2 banorë janë në pension. Nëse do të llogarisnim sesa pensione shpërndahen për 1,000 banorë themi se në Gjirokastër shpërndahen 447 pensione. Pas saj renditen qarku i Vlorës, Beratit dhe Fierit, ku koeficenti pension/1,000 banorë është përkatësisht 306, 293 dhe 255. E shprehur në terma nominalë themi se pensionistët në këto qarqe përbëjnë 31%, 29% dhe 28% të popullsisë totale.

Në mesin e renditjes janë qarqet si Elbasani, Lezha dhe Shkodra. Nga ana tjetër, popullsia paraqitet më e re në qarkun e Kukësit, Peshkopisë dhe Durrësit. Në këto qarqe shpërndahen respektivisht 154, 184, dhe 180 pensione për 1000 banorë. Nëse i referohemi vetëm vitit 2022, sipas të dhënave të INSTAT, numrin më të madh të përfituesve të pensioneve për 1.000 banorë e kishte po qarku i Gjirokastrës me 491 përfitues, ndërsa numrin më të ulët të përfituesve e kishte Tirana me 186 përfitues për 1.000 banorë./ SCAN