Është një personazh publik dhe rrjetesh sociale i cili edhe kur shkruan një status si titulli i artikullit do të marrë një mijë e përpjetë like. Përgjigjet dhe komentet janë po ashtu idiote si vetë pyetja. Ka më shumë se kaq. Nëse do futeni në profilet e Ermal Mamaqit apo Grida Dumës do të lexoni apo dëgjoni ligjërata pa lidhje, me argumente dhe sqarime që shkojnë përtej mediokres të cilat në shumicën dërrmuese të tyre nuk kanë brenda logjikë ose janë në nivelin bazik të një idioti.
Citova këta dy personazhe mediatikë të njohur pasi ky është një zinxhir që vazhdon në politikë dhe ekonomi. Dëgjoni intervistën e një sipërmarrësi shqiptar dhe mos e krahasoni me Bill Gates por me ata që shpikën Olivet-in apo bënë Fiat-in! Nivel ulëritës banal. Vërini mikrofonin një prodhuesi salsiçesh dhe artikulimi është mish i grirë. Për të vajtur tek politika ku kapim standarde Afrike me ministra që pastrojnë paratë nëpër restorante.
Nëpër televizione shikon gjithfarë mitomanësh që shpjegojnë gjuhët e lashta me shqipen e sotme.
Shkencëtarët dhe intelektualët e vërtetë, ata që mbushnin dikur institutet tërhiqen nga bezdia e bullizimit të rrjetit.
E gjitha kjo tregon demencën që po pëson shoqëria jonë. Dhe kjo ka shpjegim me masakrën që ka pësuar arsimi shqiptar. Në 30 vite ne shkatërruam një sistem arsimor të kolauduar, produkti i të cilit u certifikua edhe në perëndim. Mirëpo degradimi vazhdon dhe ministria përgjegjëse për këtë, ajo e Arsimit ashtu si Shëndetësia, trajtohet si aneks ku shkarkohen gjithë skarcitetet e qeverive madje edhe personazhe memesh. Dhe jo më kot sot një ndër motivet e emigrimit të shtresës së mesme është arsimi skadent dhe shëndetësia e dobët. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur dërgon Ndokën tek shëndetësia apo Manastirliun që pa mësuar të bëjë gjilpërën e çon të prodhojë idiotët e ardhshëm. Nuk mund të kërkosh nivel inteligjence nga rinia kur si stekë inteligjence kanë një ministre rinie si Muzhaqi që sa herë flet bën gafa të artikulimit bazik.
Shqipëria ka probleme rrogash por kjo mund të zgjidhet fare kollaj me mjete mekanike. Urgjente sot është arsimimi cilësor dhe një politikë komplekse që shtrihet edhe mbi masmedian si përhapëse divulgative e kulturës dhe shkencës. Masmedia e cila në dy kanalet kombëtare ka si produkt në 24 orë vetëm promovimin e dementëve dhe asnjë program për historinë , jetën, shkencën apo politikën. Përndryshe, siç thoshte dikur Xhevahir Spahiu: Kur ha fasule, pordhë do presësh.