Fundi i vitit ka sjellë një rënie të fortë në interesat e instrumenteve të borxhit qeveritar. Obligacionet dyvjeçare dhe bonot 12 mujore kanë zbritur në nivelet më të ulëta prej dy vjetësh. Në ankandin e të hënës, obligacionet dyvjeçare u emetuan me një kupon 1.94%.
Interesi i këtyre instrumenteve ra poshtë kufirit të 2% për herë të parë që nga viti 2016. Bonot me maturim 12 mujor u shitën në ankandin e dhjetorit me një yield mesatar të pondruar prej 1.43%.
Ndërkohë, yield-i fiks i titujve referencë, obligacioneve 5-vjeçare, në tregun dytësor ka rënë në 3.75%, niveli më i ulët që nga nisja e projektit në korrik të këtij viti.
Sipas ekspertëve, rënia e interesave për bonot dhe obligacionet qeveritare lidhet me likuiditetin e lartë në treg dhe kërkesën më të ulët të qeverisë për para në tregun e brendshëm. Në tetor, qeveria shqiptare emetoi eurobonde për një vlerë prej 500 milionë eurosh dhe një pjesë e kësaj shume ka shërbyer për të zëvendësuar huamarrjen e brendshme.
Një faktor tjetër, sipas burimeve nga tregu, është zgjedhja e disa bankave për të kovertuar kapitalin në lekë. Kjo ka sjellë më shumë fonde të lira në monedhën vendase. Nga ana tjetër, statistikat po tregojnë se ecuria e kreditimit ngelet e plogësht dhe portofoli në rënie me bazë vjetore.
Të gjithë këta faktorë kanë bërë që interesat e titujve të qeverisë të pësojnë një rënie, deri diku të papritur, në këtë fundviti. Kjo konjukturë mbështet vijimësinë e çmimit të lirë të parasë në ekonomi.
Gjendja likuide e tregut dhe normat e ulëta të interesit të bonove nuk ngrenë presione për të rritur interesat e depozitave. Kjo ndikon edhe në interesa më të ulëta për kreditë në lekë, sidomos për ato ekzistuese, që kuotohen bazuar mbi interesin e bonove.