MENU
klinika

S'ka liri për biznesmenin

Lihet në burg Pëllumb Gjoka që u kap në përgjimet e Sky ECC

15.01.2024 - 15:14

Është lënë në fuqi masa arrest në burg për biznesmenin, Pëllumb Gjoka, për të cilën ky i fundit kishte bërë ankimim në Gjykatën e Posaçme për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj rrëzoi pretendimet e avokatit të Gjokës, Ylli Manjani, për zbutjen e masës.

Prej korrikut të vitit të kaluar, Gjoka mbahet në paraburgim për disa akuza të rënda penale, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

Pëllumb Gjoka u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, ku në pranga përfunduan efektivë policie, prokurorë e ish-prokurorë.

Kush është Pëllumb Gjoka?

Pëllumb Gjoka, 49 vjeç, është një biznesmen i shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama “investitor strategjik” me një projekt që planifikonte investimin e 52 milionë eurove në një zonë të virgjër në plazhin e Velipojës në Shkodër, në shkëmbim të së cilit, shteti shqiptar angazhonte burimet e taksapaguesve për të siguruar furnizim me ujë, drita, kanalizime e shërbime të tjera publike. Por një dosje hetimore e ardhur nga Franca në drejtësinë shqiptare, bëri që Gjoka, pronar hotelesh në Shkodër e në Tiranë, të arrestohej si figurë kyçe e një grupi të krimit të organizuar, përgjegjës për vrasje dhe porositje atentatesh si dhe për korrupsion aktiv të zyrtarëve publikë.

Pëllumb Gjoka është pronar i disa kompanive me aktivitet në fushën e investimeve në turizëm dhe në lojërat e fatit krahas bizneseve të tjera. Por gjatë kohës që autoritetet publike, përfshirë Këshillin e Ministrave, ishin duke punuar ethshëm në shërbim të investitorit strategjik, Gjoka dyshohet se ka qenë duke urdhëruar vrasje.

Mbi të aktualisht rëndon akuza “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Sipas njoftimit të policisë, kjo akuzë lidhet me vrasjen në 9 gusht 2020 të shtetasit Gj. N. (B.). Ai akuzohet gjithashtu edhe për dy raste të veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” si dhe për korrupsion aktiv të prokurorit.

Anëtarët e grupit akuzohen për 12 vepra penale, mes të cilave vrasje, heqje e paligjshme e lirisë, trafikim narkotikës, pastrim parash, të kryera në kuadër të grupit të struktuar kriminal. Ndërsa zyrtarët e arrestuar akuzohen për korrupsion, shpërdorim detyre dhe ekspertime të rreme