Qendra për Hulumtime Ekonomike dhe të Biznesit, bëri të ditur se vendet në zhvillim si Kina india dhe Brazili kanë pësuar një ngadalësim këtë vit dhe do të vonojnë në garën për të kaluar ekonomitë e zhvilluara.
Raporti për 2019-ën i quajtur “Liga Ekonomike Botërore”, dha një perspektivë më pesimiste për ekonominë krahasuar me vitin e kaluar. “Në terma afat-mesëm, optimizmi është i njejtë me vitin e kaluar, por rruga drejt rritjes do të jetë më e vështirë krahasuar me 12 muaj më parë”, thekson raporti, që projekton ekonomitë e 193 vendeve deri në 2033.
Kina ka gjasa të tejkalojë SHBA dhe të bëhet ekonomia më e madhe në botë në vitin 2032, apo 2 vite më vonë se sa pritej më parë, për shkak të politikave të pamjaftueshme monetare dhe kursit të ulët të këmbimit. Brazili do të kalojë Italinë në vitin 2020 dhe jo 2018.
India do të kalojë Britaninë dhe Francën në vitin 2020, krahasuar me 2018-ën që parashikohej më parë. Britania do të humbasë vendin si ekonomia e 6 më e madhe ndaj Francës në vitin 2019, për shkak të Brexit, por do ta rifitojë përsëri atë pozicion në vitin 2023.
Organizata projektoi gjithashtu se Irlanda do të jetë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Eurozonë në vitin e ardhshëm, por shtoi se Brexit do të cënojë këtë projeksion. Efekti i luftës tregtare mes 2 ekonomive më të mëdha në botë është ndjerë në tregjet globalë dhe ka penguar perspektivën e fuqizimit të tregtisë. Rritja e volumit tregtar ka gjasa të arrijë në 2.99% këtë vit.