MENU
klinika

Analiza

A ka njeri që mund ta ndalojë “mbretëreshën” Von der Leyen?

17.01.2024 - 09:35

Problemi për von der Leyen është se forca e saj po rezulton të jetë një nga dobësitë e saj më të mëdha.
Për një moment vitin e kaluar, dukej sikur oferta e Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Europian nuk do të ishte e sigurt.

Në një udhëtim të paplanifikuar në Izrael në tetor, përkrah Benjamin Netanyahut ajo kishte shprehur solidaritetin pa rezerva në betejën e vendit kundër Hamasit.

Deklarata e saj nuk do të konsiderohej e pavend nëse do ta thoshte p.sh presidenti i SHBA-së. Por duke folur si shefe e një prej institucioneve më të fuqishme të Bashkimit Europian për një nga çështjet më përçarëse në bllok, ajo shkaktoi reagimin më të madh në katër vitet e saj në detyrë.

Diplomatët e zemëruar kishin injoruar një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm të BE-së që përfaqësonin pozicionin e bllokut dhe bënin thirrje për përmbajtje dhe respektim të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli. Rreth 800 punonjës të Komisionit nënshkruan një letër duke kritikuar mbështetjen e saj “të pakushtëzuar”, “të pakontrolluar” “për njërën nga dy palët” në konflikt. Diplomati më i lartë i Von der Leyen, Josep Borell, e qortoi publikisht për faktin se po fliste për të gjithë BE-në.

“Ajo po sillet gjithnjë e më shumë si një mbretëreshë”, tha një diplomat i BE-së për POLITICO-n në atë kohë, duke e kritikuar atë për tejkalimin e përshkrimit të punës së saj, duke i hequr qeveritë e BE-së nga vendimmarrja e saj dhe duke qeverisur me një grup të vogël këshilltarësh.

Megjithatë, për disa muaj, pozicioni i von der Leyen është përsëri i fortë. Pa kërkuar falje dhe pa u kthyer prapa, ajo ka përballuar stuhinë politike dhe ka dalë, në mos më e fortë se kurrë, të paktën e padëmtuar. Jo vetëm që ajo mbetet kandidatja kryesore për një mandat të dytë si presidente e Komisionit; Asnjë kandidat tjetër nuk duket se ka shanse për ta zhvendosur atë kur udhëheqësit e BE-së takohen këtë verë për të ndarë pozicionet kryesore të bllokut.

Në nëntor, von der Leyen refuzoi të konfirmonte se do të kandidonte përsëri, por me gëzim iu përgjigj një pyetjeje se çfarë do të bënte me një mandat të dytë, duke thënë se do të “mbante vëmendjen tek temat e mëdha” domethënë Marrëveshja e Gjelbër, tranzicioni dixhital dhe elasticiteti.

Në bisedat me dhjetëra zyrtarë dhe diplomatë të BE-së, pak prej tyre shprehën dyshime serioze nëse do të gëzojë një mandat të dytë nëse ajo e dëshiron.

Kritikat në Bruksel janë qetësuar përsëri, ose të paktën janë tërhequr pas dyerve të mbyllura, pasi zyrtarët nuk duan të rrezikojnë të kalojnë në “katin e 13” të selisë së Komisionit në Berlaymont, ku von der Leyen dhe ekipi i saj kanë zyrat e tyre.

Teksa ajo iu përgjigj pyetjeve nga POLITICO, ajo shfaqte një vezullim në sy se askush nuk mund ta ndalojë. Por, ndërsa një rikurorëzimi i pakontestueshëm mbetet deri tani rezultati më i mundshëm, ka ende një shans që gara mund të sjellë surpriza.

Mbretëresha e kthimit në shtëpi
Von der Leyen mbërriti në Bruksel thuajse papritur. Kur emri i saj u shfaq në vitin 2019, ajo ishte mister për pjesën jashtë Berlinit, ku ajo ishte ngjitur në radhët e politikës gjermane nën drejtimin e kancelares së atëhershme Angela Merkel.

Për ministrin e atëhershëm gjerman të mbrojtjes, megjithatë, ky emërim ishte një ‘kthim në shtëpi’.

Babai i saj Ernst Albrecht ishte një nga nëpunësit e parë civilë të BE-së. 13 vitet e para të jetës i kaloi në lagjen Ixelles të Brukselit, nën hijen e institucioneve të BE-së, duke ndjekur shkollën Europiane.

Ishte gjithashtu një shans për të kërcyer nga një anije që po fundosej. Fillimisht e parë si e mbrojtura e Merkelit, karriera e saj ishte zhytur pas një skandali mbi përdorimin e konsulentëve të jashtëm nga ministria e saj pa mbikëqyrjen e duhur. Edhe kur von der Leyen u zhvendos në një nga zyrat më të larta të BE-së, ajo po përballej me një hetim parlamentar

Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe kritikat po zhdukeshin. Von der Leyen e ktheu shpejt profilin e saj në Bruksel, duke u shfaqur si presidentja më e fuqishme e Komisionit që nga Jacques Delors, titani i politikës Europiane që vdiq në dhjetor.

Ajo thuajse fle në selinë e Komisionit. Ajo punon me orë të gjata, duke përfshirë edhe fundjavat. Orari i saj i mundimshëm i punës dhe i udhëtimeve është kthyer në formë shakaje të vazhdueshme në lagjen e BE-së, veçanërisht mes ndihmësve.

Performanca e saj nën presion e vulosi atë si një menaxhere të suksesshme të krizës: dinamike, e përgatitur mirë, shumë afër Uashingtonit, e aftë për të kapërcyer mjegullën që ndonjëherë mbështjell Brukselin. Ndërsa aftësia e saj u testua fillimisht nga pandemia COVID-19 dhe më pas nga lufta në Ukrainë, ajo u bë në kryeqytetet anembanë Evropës fytyra publike e një makinerie burokratike Europiane ndonjëherë të largët.

Udhëheqësit francezë dhe gjermanë shihen si arrogantë dhe të mërzitshëm. Rivali i saj institucional, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, konsiderohet në Bruksel si i shpërqendruar dhe i prirur ndaj gafave, veçanërisht pas skandalit “Sofagate” në të cilin përpjekja e tij e dukshme për të ngritur në skenë von der Leyen gjatë një vizite në Turqi e la atë të dukej seksist, i pavëmendshëm dhe i paaftë.

Ishte “pothuajse në stilin House of Cards”, tha Theresa Kuhn, profesore e studimeve Europiane në Universitetin e Amsterdamit. “Ajo e përdori atë mundësi për ta shtyrë veten përpara ndërsa ai e pa veten plotësisht në kurth.”

Michel njoftoi të shtunën se do të kandidojë si kandidat në zgjedhjet parlamentare Europiane të qershorit, që do të thotë se ai pothuajse me siguri do të heqë dorë nga pozicioni i tij aktual në korrik.

Cili është problemi?
Problemi për von der Leyen është se forca e saj po rezulton të jetë një nga dobësitë e saj më të mëdha.

Në lundrimin e krizave të saj, ajo nganjëherë anashkalon komisionarët apo rrëmben vendimet nga duart e qeverive kombëtare të mësuara të sundojnë ‘trojet’ në Bruksel. Pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, për shembull, Komisioni i mbajti të fshehta diskutimet rreth sanksioneve, duke u koordinuar me Parisin, Berlinin dhe Romën, por edhe Uashingtonin, dhe duke e paraqitur paketën vetëm në momentin e fundit kur vendet anëtare ishin gati ta konsideronin atë.

“BE-ja është kritikuar gjithmonë si e ngadaltë,” tha Kuhn. “Ajo ndonjëherë rrëmben pak fuqi në disa vendime, por nga ana tjetër është mënyra më efektive për t’i bërë gjërat”

Kjo mund të jetë e vërtetë. Por qasja e saj monarkike dhe instinktet centralizuese kanë tronditur gjithashtu themelet në Bruksel – dhe jo vetëm në Parlamentin Europian të rrënuar vazhdimisht, ku ligjvënësit gjithmonë kanë nxitur në mënyrë joefektive për një mbikëqyrje më demokratike.

Disa zyrtarë të lartë të Komisionit i thanë POLITICO-s se stili i von der Leyen dhe ekipi i saj po shkakton ankesa në të gjitha nivelet e ekzekutivit të BE-së. “Po na çmend të gjithëve,” tha një zyrtar i Komisionit Europian, i cili ashtu si të tjerët kërkoi të qëndronte anonim kur diskutohet për shefin e tyre. “Nëse ajo qëndron edhe një mandat, do të ketë një sinjal të qartë nga brenda ndërtesës se gjërat do të duhet të ndryshojnë”

Më shqetësuese për von der Leyen është fakti se, acarimi po rritet edhe në kryeqytetet Europiane, pa të cilat ajo nuk mund të sigurojë një mandat të dytë.

Diplomatët e BE-së shpesh përpiqen të luajnë me njoftimet e von der Leyen, nga sanksionet në politikën e Kinës, marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar dhe së fundmi me qëndrimin e saj ndaj Izraelit. “Ajo e bën punën e saj pa u konsultuar zyrtarisht me shtetet anëtare”, tha një zyrtar i BE-së.

Komisioni ka qenë në një përballje të gjatë me kryeministrin hungarez Viktor Orbán, i cili nuk ka nguruar t’i japë zë kësaj kritike. “Sa shpesh i duket publikut se Evropa po drejtohet nga vetëm një njeri,” tha Orbán së fundmi. “Ajo flet sikur të ishte lider i Evropës – kur në fakt ajo është punonjësja jonë, punonjësja jonë me pagesë, detyra e së cilës është të kryejë atë që vendosim ne”

Orbán, i cili vetëm ai nuk do të kishte fuqinë për të bllokuar emërimin e saj, mund të jetë i vetmi lider që bën deklarata publike të kësaj natyre. Por siç ndodh shpesh në Bruksel, është e pamundur të dihet se sa të tjerë fshihen pas tij.

Sipas disa zyrtarëve francezë, presidenti francez Emmanuel Macron është i irrituar nga shfaqjet e përsëritura të pavarësisë së von der Leyen. Nismat e saj për luftën Izrael-Hamas u panë në Paris si një “përpjekje personale PR” “para fushatës”, tha një diplomat francez.

“Ajo mendon se nuk ka shef mbi kokë,” tha diplomati. “Nëse nuk mund ta kontrollojmë, ajo duhet të vihet nën kontroll… Ne i dërguam asaj një mesazh të qartë se jemi ne që i japim asaj mandatin ”

Për të marrë detyrën, von der Leyen duhet të emërohet nga liderët Europianë dhe të konfirmohet nga Parlamenti Europian.

Në vitin 2019, ajo u vendos në detyrë me mbështetjen e partive të vetë-përshkruara pro-Europiane të BE-së: Partia Popullore Europiane konservatore, Socialistët dhe grupi liberal Reneë.

Kjo i dha asaj një shumicë të ngushtë: 383 vota, pak mbi minimumin prej 374. Me rritjen e së djathtës ekstreme në të gjithë Evropën, von der Leyen mund të luftojë për të përsëritur atë fitore. “Mund të ketë një surprizë të vërtetë,” tha një anëtar francez i Parlamentit Europian nga një nga partitë pro-Europiane.

Nëse koalicioni dështon këtë herë, “nuk do të ketë shumicë”, tha ligjvënësi. “Dhe tema e von der Leyen thjesht nuk do të ekzistojë më. Nëse nuk gjejmë një shumicë, ajo do të jetë e paqeverisshme”

Komente të ngjashme kanë filluar të vijnë edhe nga diplomatët Europianë: “Ajo është kryesuesja, pa dyshim, por me këto sondazhe … është shumë herët të thuhet nëse me siguri do të zgjidhet sërish”, tha një diplomate nga Evropa Qendrore.

“Këtë herë gjetja e shumicës mund të jetë vërtet e vështirë dhe shumica mund të jetë vërtet e dobët”, tha një tjetër diplomat. “Si do të ndikojë kjo në rizgjedhjen e saj është e paqartë për mua. Ajo që është e qartë është se në këtë sfond, është shumë e vështirë të ofrohen garanci të forta”

Sfidat gjyqësore
Një gjykatë pritet të vendosë në fillim të vitit 2024 mbi një padi të ngritur nga New York Times kundër Komisionit Europian për dështimin për të siguruar akses në mesazhet me tekst të shkëmbyera midis von der Leyen dhe Albert Bourla, CEO i gjigantit farmaceutik Pfizer.

Mosmarrëveshja daton në vitin 2021, kur, sipas raportimit të Neë York Times, von der Leyen dhe Albert Bourla negociuan personalisht një marrëveshje vaksine, në të cilën Pfizer ra dakord t’u siguronte vendeve të BE-së 900 milionë doza, ose të mjaftueshme për të vaksinuar bllokun tre herë, me opsionin për të blerë përsëri atë shumë.

BE-ja kishte bërë tashmë dy marrëveshje me Pfizer dhe BioNTech, një kompani tjetër vaksinash. Por kjo marrëveshje ishte e paprecedentë në përmasat e saj. Marrëveshjet e mëparshme kishin kaluar përmes një procesi të ndërlikuar negocimi që përfshin një bord me përfaqësues nga të 27 vendet e BE-së, si dhe negociatorë të përzgjedhur.

Komisioni u ka mohuar gazetarëve kërkesat për lirinë e informacionit për mesazhet me tekst, me argumentin se nëse ekzistojnë, nuk mund t’i gjejë ato. Një shumëllojshmëri agjencish mbikëqyrëse janë përpjekur gjithashtu të hedhin dritë mbi këtë çështje – pa sukses. Një komision i posaçëm parlamentar që hetonte pandeminë, i cili u përpoq të bënte që presidenti i Komisionit të vinte përpara një paneli për t’iu përgjigjur pyetjeve, nuk mori më shumë qartësi.

Skandali nuk ka rezonuar përtej gazetarëve në Bruksel dhe skeptikëve kundër vaksinës.

“Ne po flasim për miliarda fitime që fituan këta prodhues të vaksinave,” tha eurodeputetja belge Kathleen Van Brempt, e cila kryesoi komitetin special.

Deputetja tha se nuk besonte se Presidentja e Komisionit ishte personalisht e korruptuar, por paqartësia minoi mbikëqyrjen demokratike: “Unë nuk jam kundër fitimit, por gjërat duhet të jenë transparente, të qarta dhe të bëhen sipas rregullave. Dhe ato nuk ishin”.

Vetë von der Leyen ka refuzuar ta trajtojë këtë çështje – edhe kur kamerat i janë drejtuar direkt asaj. Deri më tani, kjo ka rezultuar një strategji fituese…

Nëse von der Leyen është e shqetësuar për të gjitha këto, ajo nuk po e shfaq – dhe as nuk ka gjasa, çfarëdo lajmi që mund të dalë, ta lejojë veten të shihet duke u djersitur.

Çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo qofshin vendimet, cilatdo qofshin rezultatet e hetimeve të ndryshme, skenari më i mundshëm mbetet i njëjtë: von der Leyen e qetë duke buzëqeshur rrugën e saj drejt një mandati të dytë./Politico.eu