Herët a vonë, raketat e Putin mund të bien edhe në qytetet evropiane jashtë kufijve të Ukrainës. Jo vetëm në Kiev, por edhe në Riga, Varshavë dhe Berlin.
Do të ishim në prag të luftës bërthamore.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, do të mbetet këtë vit sfida kryesore e sigurisë për Evropën. Ndërsa po shkruaj këtë artikull, po ndjek raportet e vazhdueshme të mediave mbi sulmet me raketa dhe dronë ndaj qyteteve të një vendi evropian.
Vetëm gjatë 3 ditëve të para të vitit 2024, Rusia lëshoi rreth 500 raketa dhe dronë mbi të gjithë Ukrainën. Ato synonin qytetet, industrinë dhe infrastrukturën, si pjesë e përpjekjes së qëndrueshme të Moskës për të nënshtruar vendin fqinj. Ishte vala më e madhe e sulmeve të tilla që nga fillimi i agresionit gati 2 vjet më parë.
Është e qartë se Rusia do të vazhdojë ta përdorë fuqinë e saj shkatërruese kundër Ukrainës për aq kohë sa të mundet. Prandaj për të bërë të mundur arritjen e paqes, evropianët duhet t’i tregojnë Putinit se nuk do të zbehet vendosmëria e tyre për ta ndihmuar Kievin.
Në Evropën e sotme, ne jetojmë në një realitet krejtësisht të ri.
Para se Vladimir Putin të fillonte luftën e tij, shumë pak e kishin menduar se ajo do të ishte e mundur. Disa vite më parë, unë shkrova se kishim hyrë në një epokë të re telashesh.
Në fakt, që prej asaj kohe kemi hyrë në një periudhë rreziqesh të reja. Për politikën evropiane, asnjë detyrë nuk është më e rëndësishme për vitet në vijim, sesa dhënia fund e kësaj lufte, dhe më pas hedhja e hapave drejt diçkaje që mund të quhet paqe në lindjen të kontinenti tonë, midis lumenjve Vistula dhe Vollga.
Le të jemi të qartë për një gjë:në rast se makineria ushtarake e Putin do të arrijë të shkatërrojë dhe mposhtë Ukrainën, kjo nuk do të sillte kurrë paqen. Përkundrazi, do të na çonte me shumë gjasa në një luftë tjetër, më të gjerë, dhe akoma më të rrezikshme.
Herët a vonë, raketat e Putin mund të bien edhe në qytetet evropiane jashtë kufijve të Ukrainës. Jo vetëm në Kiev, por edhe në Riga, Varshavë dhe Berlin. Do të ishim në prag të luftës bërthamore. Ndaj që të jetë e mundur paqja, duhen dy gjëra.
E para që Putini të mos jetë më në pushtet në Kremlin. Kjo është lufta e tij. Ishte ai që e nisi këtë konflikt, dhe e bëri të qartë në konferencën e tij për mediat disa javë më parë, se synon ta vazhdojë deri sa të arrijë objektivat që ka vendosur. Ai theksoi se këto të fundit nuk kanë ndryshuar.
Përmes një shtypjeje gjithnjë e më të fortë dhe një propagande gjithnjë e më të shfrenuar, populli rus po detyrohet të nënshtrohet politikisht dhe fizikisht. Ne duhet ta marrim seriozisht Putin. Ai i ka seriozisht ato që thotë. Karl Fon Klauzeviç mendonte se lufta ka të bëjë kryesisht me thyerjen e vullnetit të kundërshtarit.
Por vullneti i Ukrainës nuk do të thyhet.
Sepse ukrainasit po luftojnë për ekzistencën e tyre. Kjo luftë është midis vullnetit të Kremlinit dhe atij Perëndimit. E ardhmja e Putinit, përcaktohet brenda mureve të trasha të Kremlinit, dhe ndoshta në disa prej ndërtesave të mëdha rreth tij në Moskë.
Tani për tani, mesazhi i tij për të gjithë në ato qarqe, është se vullneti në Perëndim po lëkundet, dhe se brenda një viti Donald Trump mund të jetë sërish në Shtëpinë e Bardhë. Deri atëherë, raketat duhet të vazhdojnë të bien mbi qytetet e Ukrainës, dhe duhet mposhtur vullneti i Perëndimit për ta ndihmuar atë.
Detyra jonë – e Evropës, por shpresoj edhe i Shtetet e Bashkuara dhe shumë vendeve të tjera – është ta tregojmë se ai e ka gabim, dhe se mbetet i fortë vullneti ynë për të mbështetur Ukrainën. Pikërisht kur të përçohet me forcë mesazhi – se ai nuk mund të fitojë dot kundër Perëndimit, dhe se Rusia nuk ka asnjë mënyrë sesi të arrijë fitoren – mund të nisë të lëkundet edhe vullneti brenda dhe rreth Kremlinit.
Kjo qasje do të kërkojë shumë miliarda dollarë mbështetje ushtarake dhe financiare. Por në terma relative këto janë shuma të vogla. Mbështetja e Evropës deri tani nuk zë as 0.3 për qind e PBB-së sonë. Nëse do të na kërkohet nga Kievi, ne mundemi të përballojmë një ndihmë edhe më të madhe. Sepse me kalimin e kohës, kostoja e dështimit do të ishte shumë më e lartë.
Parakushti i dytë për paqen afatgjatë, është që ne të ndihmojmë në mbrojtjen e Ukrainës në të ardhmen.
Tani për tani, kjo ka të bëjë me ndihmën për ndërtimin e aftësive afatgjata të mbrojtjes ushtarake dhe mekanizmave parandalues. Por sigurisht edhe për ankorimin në një farë mënyre të Kievit në NATO dhe pranë vendeve të tij anëtare.
Po aq i rëndësishëm është sigurimi i demokracisë, rendit ligjor dhe ekonomisë së Ukrainës përmes hapave që duhet të ndërmerren në kuadër të anëtarësimit të saj në BE. Këtë vit duhet që të nisin negociatat e anëtarësimit.
Në lajmet e përditshme, Bashkimi Evropian del shpesh për diskutimet mbi rregulloret e reja, takimet e tensionuara apo diskutimet maratonë. Shpeshherë ne harrojmë se BE-ja është në fund të fundit projekti vendimtar i paqes në pjesën tonë të botës. Dhe tani ky projekt po përballet me një fazë të re dhe tejet kërkuese.
Lufta midis Francës dhe Gjermanisë, mund të lexohet në librat e historisë. BE-ja u formua për ta mbajtur atë pikërisht atje, dhe deri tan ia ka dalë. Më pas, misioni ishte sigurimi i demokracisë në Evropën Jugore kur aty u shembën diktaturat. Sërish pati sukses.
Më tej akoma pas detyra ishte nxitja dhe garantimi i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Evropës Qendrore, një rajon historikisht i paqëndrueshëm, që kur u rrëzua perandoria sovjetike. Në thelb, BE-ja ka pasur sukses edhe në këtë mision.
Tani në rendin e ditës është përfundimi i misionit të paqes në Evropë, duke siguruar paqe dhe stabilitet në lindje të saj.
Ky është një mision që po vijon prej disa dekadash, dhe që shtrihet përtej luftës aktuale. Suksesi nuk është ende i dukshëm, por alternativa ndaj sa është lufta e vazhdueshme dhe destabiliteti.
Me pak fjalë: ose do të arrijmë ta shtrijmë stabilitetin e Perëndimit dhe Evropës Qendrore në pjesët lindore të tij, ose konfliktet dhe paqëndrueshmëritë që sjellin ato, do të shtrihen gradualisht drejt Perëndimit. Ky është misioni strategjik ku duhet të përqendrohemi këtë vit.
Përshtatur nga “European Council on Foreign Relations”
Carld Bildt, ish-kryeministër dhe ish-Ministër i Jashtëm i Suedisë