Ndalimi i fotove selfie po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në shumë vende turistike. Motivi? Sepse shpëtojnë jetë njerëzish.
Mania e këtyre fotove është më vdekjeprurëse se sulmet e peshkaqenëve. Një studim i publikuar në Journal of Travel Medicine zbuloi 379 vdekje të lidhura me selfie-t gjatë 13 viteve të fundit.
Mes tyre, 140 turistë shkrepën në mënyrë tragjike foton e tyre të fundit. Ndërkohë, vetëm 90 humbje fatale jete ndodhën nga sulmet e peshkaqenëve.
Muajin e kaluar, një gondolë u përmbys në Venecia të Italisë kur një grup turistësh refuzuan të ndalonin së bëri selfie. Pikërisht përpara aksidentit, gondolieri i kërkoi grupit të mos lëviznin, ndërsa ai bëri një manovër të vështirë lëvizjeje poshtë një ure. Fatmirësisht nuk ka pati të lënduar pas aksidentit.
Realizimi i një fotoje selfie të përsosur për mediat sociale i ka çuar turistët në një mori rreziqesh ekstreme, si incidente tragjike, rëniet fatale nga shkëmbinjtë, aksidentet me makina dhe trena, takime të rrezikshme me kafshë të egra dhe mbytje të paparashikuara.
Mes 379 vdekjeve të lidhura me selfie-t në mbarë botën mes viteve 2008 dhe 2021, 37.2% ishin turistë. Rënia nga lartësia përbënte 49.9% të të gjitha vdekjeve, të ndjekura nga transporti (28.4%) dhe mbytjet (15.3%). Mosha mesatare e viktimave të selfie-ve gjatë kësaj periudhe kohore ishte 24.4 vjeç. Gratë kishin më shumë gjasa të plagoseshin për vdekje nga rrëzimet nga lartësitë dhe takimet me kafshët, ndërsa më shumë burra u vranë në rreziqe të lidhura me transportin.
Vendet me numrin më të madh të vdekjeve nga selfie-t ishin India (26.4%), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (10.3%) dhe Rusia (8.7%).
Pas një sërë aksidentesh të lidhura me selfie-t në Mumbai të Indisë, qeveria ka përcaktuar disa zona për selfie, duke përfshirë plazhe, vende festivalesh dhe atraksione turistike. Në Pamplona të Spanjës, bërja e selfie-ve gjatë vrapimit vjetor të demave është e paligjshme për shkak të aksidenteve të mundshme.
Në New York u miratua një projektligj që ndalon selfie-t me macet e egra, përveç rasteve nëse ka një pengesë fizike midis personit dhe kafshës. Në mënyrë të ngjashme, vizitorëve të liqenit Tahoe në SHBA u është kërkuar të mos bëjnë selfie me arinj, pasi kthimi i shpinës pranë një ariu është jashtëzakonisht i rrezikshëm.