Analisti Andi Bushati, debatin e shkaktuar në komisionin e Edukimit mes dy grupimeve të Partisë Demokratike, e sheh si përplasje mes opozitës dhe pushtetit.
Ai thotë se në mes të kësaj përplasje u fut një fragment minimal i opozitës i cili ka vendosur t’i shërbejë pushtetit, por kjo nuk e ndërron kuadratin e fabulës.
Sipas tij, problemi është kur një pjesë e opozitës është në betejë të ashpër me shumicën parlamentare, a mundet një pjesë e vogël e opozitës të bashkohet me qeverinë dhe shton se këtë bënë deputetët e Lulzim Bashës.
‘Basha tha dje me fjalë se mos lejimi i komisioneve hetimore dhe ndryshimi i ligjit është gabim. Për këtë po proteston pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës.
Unë i mirëkuptoj shumë deputetë që nuk duan konfrontime fizike, por nga kjo të marrësh një pozicion që i leverdis Edi Ramës kjo është pak si shumë.
Ideja është që shpesh ne jo vetëm tek kjo përplasje e fundit, rrekemi ta pasqyrojmë këtë si një përplasje mes dy opozitave.
Kemi një përplasje themelore në arenën e parlamentit, mes një qeverie që nuk do të njohë asnjë të drejtë të opozitës dhe deputetëve që duan të bëjnë një opozitë të vërtetë dhe gjejnë mënyra të ndryshme, herë dhe radikale, për të thënë se kjo mazhorancë nuk mund të kalojë jashtë asaj që parashikon ligji dhe Kushtetuta.’, thotë Bushati.
Ndërsa për reformën zgjedhore teksa përfaqësuese të OSBE-së kanë zhvilluar takime me grupin e deputetëve të Bardhit dhe Rithemelimit, Bushati shprehet se nuk beson se është hap për konsensus.
‘Ne jemi dëshmitarë si ka vepruar Edi Rama me reformat zgjedhore. Gjithmonë ka gjetur copëza të shitura opozitash, për të bërë një shumicë dhe reforma zgjedhore.
Ajo që më duket qesharake është më e thjeshtë, kemi 30 vjet në këtë vend që sa mbarojnë zgjedhjet themi do bëjmë reformë zgjedhore.
Por nuk ka reformë zgjedhore që mund të neutralizojë vullnetin e grabitjes së votave nga grabitësve të votave.
Nuk është problemi te ligji, por qeverisje që kanë vendosur të vjedhin vota dhe këtë nuk ka vullnet apo ligj që e pengon.
Nuk them që Rama në këtë rast po përdor Bashën, ndoshta po e përdor në shumë gjëra të tjera, por Basha e di që është një copë minimale dhe e papërfillshme e opozitës, por jo në rastin e reformës zgjedhore.
Nëse do kishim sot zgjedhje me këtë ligj elektoral, bashistët do zhdukeshin nga parlamenti shqiptar.
Që kjo mos të ndodhë Basha kërkon ndërrimin e sistemit, duke bërë një proporcional kombëtar, ku edhe me 2, 3 apo 4% një parti e vogël mund të ketë përfaqësues të saj.
Me reformën zgjedhore Basha nuk i shërben Edi Ramës, por qëllimit të tij për mbijetesë.’, u shpreh analisti për MCN TV.