SHBA-të kanë ushtrinë më të fortë në botë, ndërsa më e forta në rajonin e Ballkanit Perëndimor është ushtria serbe, e cila shënoi një kërcim në krahasim me vitet e kaluara dhe tani është në vendin e 56-të, sipas raportit të fundit të portalit “Global Firepower” për vitin 2024.
Lista e portalit Global Firepower rendit gjithsej 145 vende dhe territore bazuar në fuqinë e tyre ushtarake dhe faktorë të ndryshëm janë marrë parasysh gjatë krijimit të listës, sipas RTS .
Sipas të njëjtave të dhëna, në vend të dytë për nga fuqia ushtarake është Rusia dhe në vendin e tretë Kina. Pasohet nga India, Koreja e Jugut, Britania e Madhe, Japonia, Turqia, Pakistani dhe Italia. Izraeli është në vendin e 17-të dhe Ukraina në vendin e 18-të.
Sa i përket rajonit tonë, Serbia kryeson për nga fuqia e ushtrisë dhe është në vendin e 56-të, që është një lëvizje në krahasim me raportin e mëparshëm.
Pas saj janë ushtria e Kroacisë, e cila është në vendin e 66-të dhe e Shqipërisë, ushtria e së cilës është në vendin e 90-të. Ushtria e Maqedonisë së Veriut është në vendin e 110-të, Bosnje-Hercegovina në vendin e 116-të dhe Mali i Zi në vendin e 129-të.
Në renditje është përfshirë edhe Kosova, e cila zë vendin e 135-të. Benini, Somalia, Surinami, Moldavia dhe Butani janë në fund të listës.