Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) kërkon aplikimin e subvencioneve për njësi prodhimi në bujqësi.
Në një dokument dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, KASH sugjeron subvencione për njësi prodhimi sipas cilësisë, fillimisht për ullirin dhe vajin e ullirit, si dhe në blegtori, për qumështin dhe mishin. KASH e vlerëson financimin për njësi prodhimi si një mekanizëm më efikas të subvencionimit të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit.
Në vitet e fundit, prodhimi në sektorët e bujqësisë dhe blegtorisë është shfaqur në stanjacion. Ekspertët vlerësojnë se kjo ka ardhur si rezultat i shpopullimit të zonave rurale, rritjes së kostove për fermerët, por edhe i politikave të gabuara shtetërore, si ndërprerja e rimbursimit të TVSH-së për prodhimin që tregtarët dhe agropërpunuesit mbledhin nga fermerët vendas.
KASH vëren se ky është një problem madhor që ka dëmtuar konkurrueshmërinë e prodhimit vendas dhe ka ndikuar negativisht ecurinë e prodhimit bujqësor dhe blegtoral.
Ndërsa bujqësia ka hyrë prej vitesh në një cikël të rënies së kontributit të vet në ekonominë e vendit, KASH këmbëngul që shpëtimi i këtij sektori kërkon angazhimin e burimeve më të mëdha financiare nga qeveria shqiptare.
Sipas përllogaritjeve KASH, buxheti i MBZHR për vitin 2024 duhet të rritet me 90 milionë euro, për t’iu përgjigjur nevojave minimale të mbështetjes së bujqësisë në vend.
Gjithashtu, KASH nënvizon nevojën urgjente për të riaktivizuar programin IPARD si burimi kryesor i financimit të bujqësisë, nëpërmjet një analize kritike të problemeve që çuan në pezullimin e disbursimit të fondeve të Bashkimit Europian.