Vladimir Putin nuk po kalon ditë të qeta dhe të lehta. Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) ka njoftuar se, bazuar në informacionet në rrjetet sociale, një luftë tjetër klanore është duke u zhvilluar rreth Presidentit rus Vladimir Putin. Por si të mos mjaftonte, dënimi i aktivistit Fayil Alsynov nga një gjykatë në rajonin e Bashkirisë shkaktoi atë që media e pavarur ruse i quajti “protestat më masive në vend që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës”. Përleshje të dhunshme shpërthyen midis policisë dhe demonstruesve të shumtë që mbështesin Alsynov, të cilët u mblodhën në qytetin e Baymak. Tensionet, të cilat me sa duket kanë shtyrë mijëra njerëz të dalin në rrugë dhe tashmë kanë shkaktuar disa të plagosur, vijojnë prej disa ditësh. Situata “mori flakë”, kur një gjykatë dënoi Alsynov, një aktivist lokal mjedisor, me katër vjet burg për nxitje të urrejtjes etnike kundër punëtorëve migrantë gjatë një fjalimi vitin e kaluar. Burri, i cili lufton kundër minierave të arit në rajonin e Uralit dhe mbështet mbrojtjen e gjuhës bashkir, u shpall fajtor për krimet e lartpërmendura në qytetin e Baymak.
Dënimi i aktivistit
Konkretisht, Guvernatori Radij Khabirov e akuzoi atë për fyerje të qytetarëve të Azisë Qendrore dhe Kaukazit në një fjalim në gjuhën bashkire që, sipas Alsynov, ishte përkthyer keq. Aktivisti gjithashtu kishte kritikuar publikisht ofensivën e Moskës në Ukrainë. Vendimi erdhi pasi protestat në mbrojtje të aktivistit kishin shpërthyer në Baymak ditët e fundit, pavarësisht temperaturave të ngrira prej rreth minus 20 gradë. Në një fjalim kundër minierave të arit në një këshill fshati vitin e kaluar, Alsynov kishte përdorur dy fjalë bashkirisht që u përkthyen në rusisht si “njerëz të zinj”. Pas vendimit, shkroi BBC, disa protestues shprehën mbështetjen e tyre për Alsynov dhe pati raportime se disa u përpoqën të bllokonin hyrjen në gjykatë. Policia e trazirave u detyrua të hidhte gaz lotsjellës, ndërkohë që demonstruesit i sulmuan oficerët me topa bore të improvizuara në vend. Edhe në orët e fundit mijëra njerëz organizuan një protestë para gjykatës duke kërkuar “lirinë” e aktivistit dhe dorëheqjen e guvernatorit Khabirov.
“Fati” i Bashkimit Sovjetik
Pavarësisht kufizimeve të lirive që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka pasur shpërthime publike zemërimi kundër Kremlinit, të cilat mund të përbëjnë problem për Putinin, i cili kandidon sërish për president në mars. Fundjavën e kaluar, anëtarët e familjeve të trupave të mobilizuara ruse protestuan kundër luftës dhe kushteve për ushtarët duke vendosur lule te Varri i Ushtarit të Panjohur në murin e Kremlinit. Ish-shkrimtari i fjalimit të Putinit, Abbas Galyamov, theksoi rëndësinë e trazirave, duke argumentuar se ato ishin alarmante për liderin e Kremlinit. “Kjo nuk do të thotë se regjimi do të rrëzohet menjëherë, por do të thotë se autoritetet do të duhet të veprojnë shumë ashpër për të shtypur pakënaqësinë. Kështu u shemb Bashkimi Sovjetik”, tha ai. Dan Storiev, redaktor i projektit të të drejtave të njeriut në gjuhën angleze OVD-info, i cili ka gazetarë në terren, tha për Newsweek se protestat treguan se shoqëria ruse është “gati të ngrihet për të drejtat e saj pavarësisht represionit të tmerrshëm”.
Lufta e klaneve
Momenti është gjithashtu i rëndësishëm sepse këto kohë pritej një armëpushim parazgjedhor, jo shpërthimi i protestave apo edhe një lufte klanore, komenton Newsweek.Një nga treguesit e fërkimit është dalja publike e mercenarit serb Dejan Beri? , këshilltar aktual në ekipin e Putinit për rizgjedhjen presidenciale në mars, për abuzimin e personelit serb në ushtrinë ruse në Ukrainë. Kanali rus Vizionar shkroi për këtë në rrjetin social Telegram. ISW e përshkruan kanalin si “një burim i brendshëm rus që raporton vazhdimisht për ndryshimet në udhëheqjen politike dhe ushtarake të Rusisë”. Sipas analizës së ISW, klanet rivale po përpiqen të njollosin njëri-tjetrin në sytë e Putinit, por ai e di dhe kjo është arsyeja pse analistët besojnë se nuk do të thotë domosdoshmërisht probleme për regjimin e Putinit.