Sofia Vergara ka bërë një transformim drastik për t’iu përshtatur rolit të Griselda Blanco-s, e njohur si “kumbara e kokainës” dhe një ndër gratë më famëkeqe në botë. Historia e saj lidhet me kartelin e drogës që furnizonte me kokainë zonën e Miami-t.
Me dhjetëra shpërndarës droge dhe kriminelë në stafin dhe nën komandën e saj, Griselda drejtoi kartelin me një grusht të egër (dhe një shkop bejsbolli).
Ajo lindi në Santa Marta, Kolumbi, në vitin 1943, por u transferua në Medellín kur ishte ende fëmijë.
Asokohe, qyteti konsiderohej si një ndër më të rrezikshmit në botë dhe Griselda ra në kontakt me botën kriminale në një moshë fare të re, pa cekur ende adoleshencën. Ajo nisi të vidhte nëpër xhepat e njerëzve për të siguruar jetesën, para se të mbushe 12 vjeç.
Sipas zërave, Griselda kreu një krim të rëndë që në moshën 11-vjeçare, pasi rrëmbeu dhe qëlloi një fëmijë nga një lagje e pasur.
Në moshën 19-vjeçare, Griselda u largua nga shtëpia dhe siguroi jetesën përmes vjedhjeve. Më pas, u transferua në SHBA me një emër të rremë dhe dokumente false. Griselda, së bashku me bashkëshortin, Carlos Trujillo dhe 3 fëmijët e tyre, shkuan në Queens, New York dhe atje nisi “karrierën” e saj me shpërndarjen e kokainës.
Gjatë dekadës së ardhshme, Griselda do të krijonte një biznes që lulëzoi. Ajo u konsiderua si “mbretëresha e drogës” dhe në vitin 1975, nisi të përndiqej nga policia, së bashku me 30 vartësit e saj. Në një përpjekje të fundit për të shmangur ndjekjen penale, Blanco shkoi sërish në Kolumbi.
Vite më vonë, pasi i shpëtoi ndjekjes penale, ajo u rikthye në SHBA dhe hapi një dyqan në Miami, Florida. Asokohe, Miami gëlonte nga njerëzit që shisnin dhe përdornin kokainë. Me synimin e qartë për të bërë para në Miami, Griselda e rindërtoi shpejt biznesin e saj dhe sipas disa hulumtimeve, ajo sillte 1,500 kg kokainë në muaj, me vlerë deri në 80 milionë dollarë.
Griselda njihej si një novatore në botën e krimit, pasi krijonte ndarje në veshjet e saj, që shërbenin si xhepa për të fshehur kokainën dhe kontrabanduar atë nga Kolumbia në SHBA. Ajo hapi një fabrikë ku prodhoheshin veshje të brendshme që mund të përdoreshin për këtë funksion.
Një tjetër “risi” e saj ishte fakti që vartësit e Griselda-s qëllonin nga motoçikletat drejt njerëzve me të cilët ajo mund të kishte ndonjë konflikt. Kjo ide lindi për shkak të popullaritetit që gëzonin motoçikletat dhe aftësisë së tyre për t’u larguar shpejt nga vendndodhja. Këto ishin avantazhe, krahasuar me gjuajtjen nga makinat, të cilat shpesh çonin dhe në gabime në objektiv dhe vrasje të paqëllimshme.
Nga ana tjetër, një tjetër armë e saj ishte se ishte manipuluese, simpatike, dinake dhe magnetike. Ajo i tërhiqte dhe i bënte menjëherë për vete njerëzit, sidomos burrat. Sipas ish-agjentit të DEA-s, Bob Palomo, i cili prej vitesh e hetoi Blanco-n, tha për The Guardian: “Ajo mund të të joshë me mendjemprehtësinë e saj dhe të të bëjë një vartës besnik”.
Përpos krimeve që kreu si një lidere në botën e kokainës, ajo nuk stepej t’i lyente duart me gjak, sidomos kur bëhej fjalë për jetën private. Griselda ishte martuar tre herë dhe në të trija herët, ishte përfshirë në vdekjen e tre burrave të saj.
Kur ajo u rikthye në Kolumbi në vitin 1975, kishte një biznes droge me Alberto Bravo, me të cilin edhe ishte martuar. Alberto qëndroi në Kolumbi për të drejtuar operacionin e përbashkët, ndërsa Griselda shkoi në SHBA. Në një moment, Griselda nisi të dyshonte se Alberto kishte vjedhur dhe s’ishte treguar besnik.
Sipas zërave, Griselda organizoi një takim me të në një parking dhe mori me vete në armë që e futi në çizme. Ajo u grind ashpër me bashkëshortin dhe kur gjërat u përshkallëzuan, mori armën dhe nisi t’i gjuante. Alberto, nga ana tjetër, nxori po ashtu një pistoletë dhe të dy nisën të gjuanin drejt njëri-tjetrit. Kur plumbat mbaruan, 6 truproja kishin vdekur dhe Griselda ishte qëlluar në bark, ndërsa Alberto, në fytyrë. Griselda u shërua, ndërsa ai humbi jetën.
Një konflikt i ngjashëm ndodhi edhe me bashkëshortin e tretë, Darío Sepúlveda, me të cilin ajo kishte një djalë – Michael Corleone Blanco, i quajtur sipas personazhit të Al Pacino-s te “The Godfather”. Kur ata patën probleme, nisën një betejë për kujdestarinë e djalit. Darío donte ta merrte të birin në Kolumbi dhe Griselda e parandaloi duke e vrarë, në mënyrë që djali të jetonte me të.
Pas aktiviteteve të saj kriminale, ajo u arrestua në Irvine, Kaliforni, në vitin 1985, pasi një prej vrasësit dhe zbatuesit kryesorë të planeve të saj, Jorge Ayala, iu kundërvu dhe u bë dëshmitar në anën e policisë. Griselda u akuzua dhe dënua për tre vrasje, pavarësisht se ende nuk dihet saktësisht se sa vrasje ka kryer.
Ajo u dënua për vrasjen e një fëmije 2 vjeç, Johnny Castro. Ai ishte fëmija i një ish-vartësi të Griselda-s, për të cilin ajo dyshonte se e kishte tradhtuar. Vrasësit e saj kishin si shënjestër “tradhtarin”, por në fakt, i qëlluan të birin.
Ndërsa mendohej se ky ishte fundi për Blanco-n, fati i buzëqeshi sërish. Ndjekja penale ndaj saj u rrëzua pas një skandali seksual, në të cilin përfshihej Ayala. Ai fliste në telefon me fjalë të pista me disa prej sekretaret që punonin për prokurorinë. Në vitin 1994, Griselda bëri një marrëveshje të re dhe u deklarua fajtore për tre akuza, për vrasje të shkallës së dytë. Ajo u dënua për 20 vite.
Në vitin 2004, Griselda, për shkak se vuante nga disa probleme shëndetësore, u lirua dhe shkoi sërish në Medellín. Qyteti ishte transformuar dhe dukej totalisht ndryshe nga ai ku ishte rritur Griselda. Kështu, duke e pasur të vështirë të dominonte, Griselda bëri një jetë të qetë, pa u përfshirë në telashe.
Megjithatë, fati, këtë herë, e pa vëngër. Si për ironi, ndonëse ajo nuk u përfshi në probleme, ato sërish e gjetën shtegun për të shkuar tek ajo. Më 3 shtator 2012, ndërsa ajo po dilte nga një dyqan mishi, dy persona të armatosur mbi një motoçikletë, i kaluan pranë, shkrepën armët dhe e qëlluan në kokë. Griselda ndërroi jetë nga plagët e marra dhe kështu mori fund jeta e saj e dhunshme dhe e trazuar.
Griselda la pas të birin Michael. Tre djemtë nga martesa e parë, Uber, Osvaldo dhe Dixon Trujillo, vdiqën para së ëmës, për shkak të tregtisë së drogës.
Historia e saj do të rrëfehet më 25 janar në Netflix, në serialin “Griselda”. Rolin e “kumbarës së kokainës” do ta luajë Sofia Vergara. Në kast janë aktorë si: Alberto Guerra, Christian Tappan, Martín Rodríguez, Juliana Aidén Martinez dhe Vanessa Ferlito.