MENU
klinika

“Jam luftëtar i antikorrupsionit”

Berisha nga ballkoni: Kjo betejë ‘dhëmb për dhëmb’ është me Edi Ramën

19.01.2024 - 20:26

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se hetimi ndaj tij nuk është për korrupsionin, por politik, dhe këtë sipas tij e ka dëshmuar Edi Rama me aktet e tij.

Berisha tha se është luftëtar i antikorrupsionit dhe se betejën e tij e ka me Edi Ramën, jo me drejtësinë.

“Me aktin e fundit, Edi Rama u provoi shqiptarëve se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por po hetohet se luftoi dhe lufton korrupsionin.

Me aktin e fundit, me tmerrin që ka nga mandati i Sali Berishës, Edi Rama dëshmoi se Sali Berisha po luftohet politikisht sepse ai ka denoncuar të gjitha vjedhjet personale, familjare, qeveritare të Edi Ramës dhe larove të tij.

Me aktin e fundit, Edi Rama faktoi se Sali Berisha nuk po hetohet për korrupsion, por për antikorrupsionin e tij, sepse ai denoncoi para shqiptarëve dhe botës, tradhëtinë e tij kombëtare ndaj Kosovës.

Denoncoi projektet e tij të përbashkëta me Aleksandër Vuçiç.

Denoncoi Jugosllavinë e re, Ballkanin e Hapur.

Denoncoi çdo akt të tij, me të cilin përpiqej që hegjemonia serbe dhe influenca ruse të mbizotëronte në rajon dhe Shqipëri.

Miqtë e mi!

Edi Rama faktoi edhe njëherë se beteja e Sali Berishës nuk është me drejtësinë, përkundrazi kjo betejë dhëmb për dhëmb është me Edi Ramën dhe drejtësinë e korruptuar, është me narkoshtetin, lidhet e tij me krimin.

Ndaj dhe i them Edi Ramës, se mandati im nuk u var dot as nga etërit e tu, xhelatë të shqiptarëve.

Sepse kur ata bënin thirrje për tanke, ne zvarrisnim rrugëve të Tiranës, shtatoren e Enver Hoxhës, ndërsa ti ja mbathje në Zallherr nëpër bunkere për të shpëtuar lëkurën tënde.

Edi Rama je i pashpresë.

Sali Berisha dhe këta burra e gra, janë sot më të vendosur se kurrë të të japin përgjigjen që meriton”, tha Berisha.