MENU
klinika

Merret në pyetje Artan Hoxha

Ngjarja e 21 Janarit, Prokuroria e Tiranës: Kemi kërkuar ndihmë nga autoritetet e huaja

22.01.2024 - 12:18

Ndërsa një ditë më parë u shënua 13 vite nga ngjarja e rëndë e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 persona, Prokuroria e Tiranës ka dhënë detaje të reja lidhur me hetimet për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Në një njoftim zyrtar për mediat, Prokuroria bën me dije se është marrë në pyetje gazetari Artan Hoxha, i cili një vit më parë ka deklaruar se disponon një material audio, në lidhje me ngjarjen.

“Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialen audio”, njofton Prokuroria.

Sipas prokurorisë, familjarët e Aleks Nikës, kanë deklaruar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.

Po ashtu, mësohet se Prokuroria e Tiranës i është drejtuar autoriteteve kompetente te huaja, për vlerësim dhe ekspertim të provave të sekuestruara gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së viktimës.

Ndër të tjera theksohet se gjatë hetimeve, “do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal”.

Informacion i Prokurorisë Tiranë mbi hetimet për ngjarjen e 21 Janarit 2011, ku humbën jetën 4 persona

Duke marr shkas nga interesimi i medias, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285 I vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, gjatë së cilës kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.

Në datën 18.04.2012, është vendosur ndarja nga procedimi penal dhe dërgimi për gjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, i çështjes së numërtuar 285/21, të viti 2012, i materialeve për të pandehurit N. P. akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, parashikuar nga neni 79 gërma “ë” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj dhe të pandehurit A. Ll., akuzuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer kundër dy ose më shumë personave”, parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i K.Penal, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e shtetasve F. M.j, E. B., dhe S. G.

Për gjykim në këtë procedim, janë dërguar edhe materialet në ngarkim të të pandehurit Margarit Kume, i akuzuar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve të zhvilluara nga ana e policisë gjyqësore u kryen të gjithë veprimet e nevojshme hetimore, por nuk u bë e mundur që të identifikohet se cilët janë personat që kanë vrarë shtetasit Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosur shtetasit F. M., S. G., E. B., A. D., I. Q. e I. P. Në kushtet kur ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore dhe autori i veprës penale nuk njihet, me vendim të datës 28.02.2020, prej Prokurorëve të çështjes është vendosur që hetimet të pezullohen duke i kaluar aktet e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, për ndjekje të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Në datën 02.04.2021, është vendosur rifillimi i hetimeve të pezulluara dhe kryerja e veprimeve hetimore me qëllim zbulimin e autorit të vrasjes së shtetasit Aleks Nika, si dhe Hekuran Deda, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin Nr.100, të shpallur në dt.07.02.2013, ka vendosur deklarimin të pafajshëm të pandehurit Agim Llupo, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje, të kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë të drejtpërdrejtë vdekjen e të ndjerit Hekuran Deda.

Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, kanë kryer edhe veprimet hetimore të deleguara prej prokurorit në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit Artan Hoxha, fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin “Top Channel.

Me qëllim disponimin e provës materiale, kasetë audio, sipas kërkesave procedurale ligjore është pyetur shtetasi Artan Hoxha, me detyrë gazetar, si edhe familjarët e viktimës Aleks Nika, të cilët sipas shtetasit Artan Hoxha, disponojnë materialen audio. Por në deklarimet e dhëna prej tyre është evidentuar se ky material nuk do të dorëzohej në funksion të hetimeve që zhvillon Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, por para Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, në momentin që ky procedim do të hetohet prej tyre.

Në funksion të hetimeve të zhvilluara prej prokurorit, është vendosur të bëhet vlerësimi dhe ekspertimi i provave të sekuestruara gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kqyrjes së viktimës, duke iu drejtuar autoriteteve kompetente të huaja, prej të cilëve për shkak të sensibilitetit dhe natyrës së çështjes është kërkuar konfidencialitet.

Duke kujtuar respektimin e garancive të një procesi që është në hetim, bëjmë me dije se gjatë hetimeve që do të kryhen do të mbahen parasysh edhe aktet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që kanë lidhje me këtë procedim penal.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Dueli i heshtur" - ana e errët e sheshxhirimit

“Rri urtë, se do hash plumbin kokës”

Analiza/ Nga Covid tek Turqia neo-otomane

Dhjetë rreziqet kryesore që i kanosen botës në vitin 2021

E fejuara u vetëvra fill pas tij

Cili ishte vërtet Kajo Karafili, pse dhe si u vra?