Njohja automatikisht e viteve të punës për efekt pensioni, për 72 ish-kooperativa bujqësore ka reduktuar ndjeshëm numrin e gjyqeve. Afroviti Dhuci, specialiste në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pak ditë më parë në një intervistë televizive sqaroi praktikën që ndiqet kur nuk disponohet dokumentacioni i vjetërsisë në punë, kur konstatohet i munguar i gjithë dokumentacioni për sektorë apo fshatra të veçanta si edhe për ato ish-kooperativa të fshatrave apo sektorëve për të cilët disponohen vetëm 1 apo 2 regjistra. Kështu, të gjithë që kanë punuar në këto ish-kooperativa bujqësore, por që s’kanë asnjë dokument për ta provuar këtë nuk e kanë më të nevojshme që të përplasen dyerve të gjykatës për të kërkuar të drejtën që iu takon. Çdo vit pune llogaritet për efekt pensioni.
Pragu është mosha 15 vjeç, pasi gjatë kohës së diktaturës, puna niste menjëherë pas përfundimit të arsimit bazë. Dhuci u ndal edhe tek kushtet që duhet të përmbushen dhe dokumentet që duhet të dorëzohen përmes shërbimit postar. Aplikimet bëhen në portalin E-Albania. Për periudhën përpara dhjetorit të 2011 kërkesa për vërtetimin e periudhës kontributive shqyrtohet pranë drejtorisë së Arkivave, ndërsa prej janarit të 2012-s vërtetimi gjenerohet automatikisht, pasi të dhënat janë në sistem. Janë mbi 15 mijë pensionistë të cilët dalin çdo vit në pension. Prej fillimit të këtij muaji kanë ndryshuar edhe kushtet e daljes në pension si edhe portofoli i sigurimeve. Konkretisht për gratë mosha e daljes në pension këtë vit është 61 vjeç e 8 muaj, ndërsa për burrat vijon të jetë 65 vjeç. Sa i takon viteve të punës, për të përfituar pension të plotë duhet që qytetarët të kenë 38 vite e 4 muaj periudhë kontributive.
Ndryshon skema për llogaritjen e pensionit për vitet e punës në ish-Kooperativa
Ndërkohë kujtojmë se qeveria rriti edhe koeficientet mbi bazën e të cilëve llogaritet masa e pensionit për ata që dalin rishtaz. Kjo sjell automatikisht ndryshim të formulës për llogaritjen e pensioneve dhe duke filluar nga data 1 korrik e në vijim, pensionistët do përfitojnë më shumë të ardhura. Bazuar në tabelën me koeficientet e rinj (sipas tabelës përbri shkrimit) një person që në vitin 1994 është trajtuar me një pagë prej 7 mijë lekësh, kjo shumë do të shumëzohet me koeficientin 10.799 dhe për llogaritjen e pensionit do të merret parasysh paga prej 75 mijë e 593 lekësh. Zakonisht, për caktimin e masës së pensionit merret në konsideratë paga me të cilën janë paguar kontributet ndër vite, por për shkak se pagat gjatë kohës së ish-kooperativave bujqësore por edhe në vitet në vijim kanë qenë të ulëta, qeveria cakton çdo vit koeficiente të rinj për të marrë një pension sa më real për periudhën që pensionistët jetojnë.
Formula
Sakaq, për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i Pleqërisë) = PS (Pension Social)* (shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/ vjetërsi kontributive që kërkohet + 1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* BV (baza e vlerësuar). Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar, merret shuma e pagave, për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Nëse ka një problematikë me të cilën përballen të gjithë ata që dalin rishtazi në pension është mungesa e dokumentacionit për vitet e punës në komunizëm.
Një fenomen ky i pranishëm në radhët e atyre që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore të kohës. Si një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje këtij shqetësimi që prek jo pak të moshuar në prag pensioni, kanë qenë dy deputetë iniciatorë, të cilët depozituan me kohë në Kuvend një nismë ligjore që bën të mundur njohjen si vite pune për efekt pensioni të të gjithë periudhave të punësimit në ish kooperativat bujqësore. “Ligji ka për qëllim njohjen si periudhe sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore për të cilat është djegur dokumentacioni arkivor i vjetërsisë në pune, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501 datë 19.07.1991, “Për tokën”, i ndryshuar. Njihet si periudha e sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore, nga mosha për punë në kooperativat bujqësore e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19. 7 .1991 “Për tokën”, thuhet në nenin 1 dhe 2 të draftit të depozituar në Kuvend.