Kandidatja republikane Nikki Haley ka vënë në pikëpyetje aftësinë mendore të Donald Trump të shtunën pasi u duk se e ngatërroi atë me ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, kur fliste për sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA. “Trump vazhdon dhe më përmend disa herë pse nuk e përballova më mirë 6 janarin. Unë nuk isha as në DC më 6 janar. Nuk isha në detyrë atëherë”, tha Haley. “Ata thonë se ai u hutua. Se ai po fliste për diçka tjetër. Se ai ishte duke folur për Nancy Pelosi. Ai më përmendi shumë herë në atë skenar”, shtoi ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut. Haley i tha një turme votuesish në Keene, New Hampshire: “Shqetësimi që kam është – nuk po them asgjë nënçmuese, por kur keni të bëni me presionet e një presidence, ne nuk mund të kemi president dikë që ne pyesim nëse është i aftë mendërisht për ta bërë këtë.” Komentet e saj vijnë pasi Trump tha në një tubim të fushatës në New Hampshire, “Meqë ra fjala, ata nuk raportojnë kurrë turmën më 6 janar. E dini, Nikki Haley, Nikki Haley, Nikki Haley … a e dini se ata shkatërruan të gjithë informacionin, të gjitha provat, gjithçka, i fshinë dhe i shkatërruan të gjitha? Në ditët para zgjedhjeve paraprake të së martës në New Hampshire, Haley, 52 vjeç, është përpjekur të nxjerrë në pah diferencën e saj në moshë me Trump, 77 vjeç dhe Presidentin Joe Biden, 81 vjeç.Që nga fillimi i vitit të ri, Haley dhe aleatët e saj kanë shpenzuar rreth 9 milionë dollarë në New Hampshire, ndërsa Trump dhe aleatët e tij kanë shpenzuar rreth 8.5 milionë dollarë. Për javë të tëra, fushata e Trump e ka trajtuar Haley-n si një kërcënim serioz në New Hampshire – dhe vetë kandidati e bëri të qartë këtë me një sërë sulmesh në mediat sociale.