Thellohet sherri mes demokratëve, teksa një grup deputetësh kanë dalë hapur kundër dyshes Bardhi-Berisha, ndërsa u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të heqin dorë nga kaosi dhe bllokimi i Parlamentit. Fillimisht këtë shqetësim dhe distancimin e ka shfaqur dje deputetja Jorida Tabaku, teksa komentoi sa i takon vizitës së saj në Bruksel. Ajo theksoi se përballja me ide apo bashkimi i votave me socialistët siç ndodhi në Komitetin Parlamentar të Stabilizim Asociimit për Integrimin, sipas saj, për çështjet europiane është një proces që nuk duhet të ndodhë vetëm në Bruksel. “E rëndësishme që në atë rezolutë u përfshinë edhe shqetësimet tona. Mënyra më e mirë për të çuar para çështjen është përballja me ide. Është fatkeqësi që e gjejmë gjuhën vetëm në Bruksel”, tha ajo. Opozita është e shqetësuar nga deklaratat e socialistëve për ngritjen e një grupi pune që do të kontrollojë institucionet e pavarura, përfshirë ato të drejtësisë. Ky shqetësim është pasqyruar edhe në rezolutën e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit. “Nuk është parë ndonjëherë që një grup punë partie të kontrollojë institucionet e drejtësisë. Është absurd, korruptiv në sensin e pushtetit”, tha ajo. Madje Jorida Tabaku nuk e fsheh që ia ndjen mungesën foltores së Kuvendit dhe për këtë arsye, ajo e bën të qartë që nuk është dakord me formën e aksionit të opozitës. “Mendoj që parlamenti është arenë debate, mënyrë se si ne të shprehim idetë tona, beteja e opozitë është e drejtë, por unë nuk jam dakord me formën e protestës. Unë në fakt mund ta vuaj më shumë se të gjithë deputetët se kam qenë një ndër më aktivët në kuvend dhe me mungon si forum”, nënvizoi Tabaku. Që prej 5 tetorit të vitit të shkuar, nuk është zhvilluar asnjë seancë normale për shkak të protestës së opozitës dhe refuzimit të mazhorancës për të plotësuar kërkesat parlamentare të demokratëve.
Salianji bën thirrje për tërheqje nga aksioni në Parlament
Ndërkohë, kundër kaosit ka dalë edhe deputeti Ervin Salianj, i cili iu dërgoi një mesazh kolegëve të tij demokratë, teksa theksoi se aksioni opozitar në Parlament e ka arritur qëllimin, ndaj duhet që të ketë një qasje të re. Dje, në një intervistë televizive, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, shprehet se tashmë protesta e deputetëve arriti objektivin për të treguar se opozitës po i mohohen të drejtat në parlament. Për këtë arsye, pohon se duhen gjetur forma të reja, ku propozon takimet me qytetarët dhe protestat. “Mendoj se ne duhet t’i qëndrojmë kërkesave që ne kemi, për komisionet hetimore, bashkëkryesimin e komisionit të reformës zgjedhore dhe për drejtimin e grupit parlamentar. Por ndërkohë duhet të diversifikojmë dhe të gjejmë forma të tjera të komunikimit me publikun dhe për imponimin në shoqëri të ideve tona. E shoh si një aksion që e ka kryer pjesën më të madhe të aksionit të vet. Tani duhet të shpejtojmë, përfshirë takime me njerëzit dhe protesta me ta”, tha ai. Diskutimet brenda grupit parlamentar sa i përket strategjive të opozitës, nuk pengojnë rrugën drejt procesit të bashkimit, pohon Salianji. Finalizimi i procesit është i afërt. Salianji pranon se brenda grupit parlamentar ka diskutime rreth aksionit, ku shumë deputetë kanë qëndrime të ndryshme për vijimin apo jo të protestës. Por kjo, thotë ai, nuk po i pengon në rrugën drejt bashkimit, proces që është drejt finalizimit. “Ka jo vetëm përpjekje por ka diskutime konkrete se cilat janë rrugët, unë besoj se jemi në fund të atij procesi dhe unë do bëj të gjitha përpjekjet e domosdoshme që të arrijmë të kemi një rezultat shume të shkurtër dhe pse jo të mos zgjasë më shumë se dy javë”, tha ai. Procesin gjyqësor ndaj Sali Berishës nuk e shikon si një pengesë, por kërkon prej të gjithëve që ta pranojnë realitetin dhe ish-kryeministrin si drejtues të partisë. “Duam apo nuk duam ne, zoti Berisha është konfirmuar si kryetar i opozitës me votën e qytetarëve. Ajo që të konfirmon apo të shkarkon nga një pozicion i caktuar është vota e demokratëve në këtë rast, por edhe e qytetarëve që janë të faktuar, 6 marsi dhe 14 maji. Ndaj unë e shoh këtë si një diçka që mund të imponohesh nga palët, imponimi bëhet me votë”, nënvizoi Salianji.