Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë prezantimit të prioriteteve të qeverisë deklaroi se këtë vit theksi do të vihet tek reforma në drejtësi. Ai njoftoi se këtë vit do të themelohet byroja për konfiskimin civil dhe vënien në funksion të task-forcës antikorrupsion.
“Reforma në drejtësi është prioritet i qeverisë, andaj ajo do të vazhdojë të jetë e tillë. Vetingu po merr rrugë, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ky proces është domosdoshmëri që po na dëshmohet çdo ditë, krahas tij dhe presim prej 11 muajsh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë, Kurti tha se përveç investimeve në fushën e mbrojtjes, prioritet do të jetë edhe bashkëpunimi me aleatët.
“Këtë vit, rritja e kapaciteteve mbrojtëse do të jetë prioritet i parë i ministrisë së Mbrojtës. Për një fillim të mbarë, në fillim të këtij viti ne morëm konfirmimin nga DASh se ka pranuar kërkesën tonë për të blerë sistemin antitank Javelin” , tha Kurti.
Lidhur me ekonominë, Kurti theksoi se Ministria e Financave do të vazhdojë me reformën e pensioneve. Ndërsa në politikën e jashtme, kreu i ekzekutivit theksoi se prioritet mbetet anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.