MENU
klinika

“Lufta” e çmimeve për qumështin e deles

Shqipëria numëron 1 milionë krerë, sa prodhohet në total?

25.01.2024 - 13:18

Çmimi i qumështit të deles është bërë shkak për një përplasje midis blegtorëve dhe fabrikave të përpunimit që u blejnë produktin. Blegtorët në jug të vendit kanë dalë në protesta, pasi nuk pranojnë uljen e çmimit të blerjes nga fabrikat. Por si ka qenë situata? Në vitin 2022, qumështi i deles nga fermerët blihej me rreth 80 lekë/litër.

Por duke qenë se prodhimi ishte i ulët, fabrikat i kontraktuan blegtorët dhe u rritën çmimin e blerjes në 2023-shin në 180 lekë për litër pa tvsh. Kjo situatë nxiti edhe shtimin e prodhimit, duke bërë që kompanitë të merrnin më shumë produkt dhe ta kishin stok.

Tashmë, sipas përfaqësuesve të kompanive, duke qenë se konsumatorët nuk kanë reaguar mirë ndaj rritjes së çmimeve të nënprodukteve me qumësht dele dhe për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, po kërkohet që ky produkt të merret nga blegtorët me kosto 120 lekë për litër pa tvsh.

Por blegtorët kanë ndërmarrë protesta ndaj këtij qëndrimi, duke kërkuar që të rishikohen çmimet. Së fundmi Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, ka zhvilluar një takim me përpunuesit e qumështit, ndërsa pritet që të takojë edhe blegtorët për të gjendur një rrugë të mesme.

Por sa qumësht deleje prodhohet në vend? Sipas të dhënave të INSTAT në 2022 u prodhuan 69 mijë tonë, apo 6,0% më pak se në vitin 2021 për shkak edhe të rënies së numrit të krerëve. Sasia e grumbulluar e qumështit të deles, në vitin 2022, është rreth 14 mijë tonë, duke shënuar rritje me rreth 9,7%, krahasuar me vitin 2021. Shqipëria numëron 1 milionë krerë dele, qumështi dhe rendimenti mesatar vjetor në nivel vendi i qumështit të deles është 63 litra për krerë. Rendimentin më të lartë e ka qarku i Durrësit me 125 litra për krerë.

Qarku më numrin më të madh të mbarështimit të të leshtave është Vlora me 25,6% ndaj numrit të përgjithshëm të krerëve, si dhe qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës ndërsa Lezha është qarku më pak përfaqësues për mbarështimin e të leshtave me 2,0% ndaj numrit gjithsej të krerëve në të gjithë vendin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blegtoria në rënie të vazhdueshme në Shqipëri

Braktisja e fshatit çojnë në tkurrjen e numrit të krerëve