Gjykata e Posaçme ka dhënë dënimin për kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari i akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, pasi nuk deklaroi dënimin në Greqi.
GjKKO ka caktuar 9 muaj burg, por në fund gjykata vendosi konvertimin me 150 orë punë komunitare.
Avokati i kryebashkiakut, Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së Hajdarit.
Kujtojmë se më 14 nëntor Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzën Hajdarit për falsifikim të formularëve, duke u marrë kështu si i pandehur.
Sipas Prokurorisë, Hajdari rezulton që në 23 qershor të vitit 1999 është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së parë të Janinës për hyrje të paligjshme në territorin grek pa leje, duke e dënuar atë me 4 muaj burg.
Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ndërpreu mandatin Hajdari si kryebashkiaku për një dënim prej 4 muajsh në Greqi i konvertuar me një gjobë prej 1500 dhrahmi më shumë se 20 vite më parë.
Sipas kryekomisionerit, të dhënat që nuk janë deklaruar nga Kreshnik Hajdari nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën ka marrë dënimin përkatës.
“Në vlerësimin e tij, kjo ka qenë e panevojshme për t’u deklaruar ose ka harruar. Kjo e dhënë nuk përbën, tashmë e certifikuar nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk e përfshin atë në kushtet e ndalimit për shkak të veprës penale për të cilën ka marrë dënimin përkatës. Ngelet diskutimi që fakti që nuk e ka deklaruar. Edhe në respektim të precedentëve të krijuar nga ky institucion që nga viti 2020 ne kemi mbajtur qëndrimin që nuk ka detyrim subjekti vetëdeklarues për të paraqitur në formula rrethana apo shkaqe që e ndalojnë të marrin zyrën publike”, Ilirjan Celibashi.