Në procesin gjyqësor ndaj Fredi Belerit dëshmuan Kancelari i prokurorisë së Vlorës Përparim Hoxha dhe kancelarja e gjykatës së Vlorës Frida Gani.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se gjatë dëshmisë në GJKKO Hoxha deklaroi se nuk ka akses as te protokolli dhe as në regjistrimin e çështjeve.
“Unë nuk kam akses as tek protokolli as tek regjistrimi i çështjeve. Këtë funksion e kryen kryesekretarja e cila herë pas here ndihmohet edhe nga persona të tjerë, për shkak të volumit të punës. Nuk ka në prokurorin e Vlorës, një punonjës specifik për protokollin”, tha ai.
Hoxha u shpreh se në cilësinë e kancelarit nuk ka përpiluar asnjë dokument për SPAK dhe GJKKO, për çështjen “Beleri”. I pyetur për listën e gatishmërisë, ai tha se prokurorët e gatshëm përcaktohen nga drejtuesi i prokurorisë, çdo muaj.
Ndërkohë kancelarja e gjykatës së Vlorës tha se kancelari nuk merret me regjistrat ose protokollet dhe se me to merret kryesekretaria.
“Dosjet sekrete nga prokuroria vijnë të mbyllura me zarf, shënohet në regjistër dhe më pas i dërgohet zarf i pahapur gjyqtarit që është i gatshëm”, tha ajo.
Kancelarja shtoi nuk ka dijeni që për veprime të ngutshme administrata ka dalë ose jo në pune jashtë orarit zyrtar.