Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e studentëve dhe një grupi deputetësh për shfuqizimin e disa pikave të ligjit që detyron studentët të punojnë për 5 vjet brenda vendit pas përfundimit të studimeve pa marrë në dorë diplomën ose përndryshe të paguajnë tarifë të madhe, si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ndërkohë, i jep 3 muaj kohë Kuvendit që të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore, përpara mbylljes së vitit aktual akademik dhe dispozitat që shfuqizohen bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët.
Me vendimin e marrë sot më 25 janar, Kushtetuesja nënvizon se afati 5-vjeçar për të punuar me detyrim, nuk është në proporcion me nevojën që ka vendi, dhe duhet të jetë një afat që nuk kalon gjysmën e kohës së studimeve. Në këto kushte, por edhe marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, Kushtetuesja gjykon që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.
‘Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen.’- nënvizon gjykata Kushtetuese
Po ashtu Gjykata Kushtetuese, ka konstatuar boshllëk ligjor sa i takon mënyrës së trajtimit financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje, në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
‘Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, boshllëk trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit.’- thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me masën e pezullimit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese me 14 nëntor, kjo masë hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Sipas Kushtetueses, Kuvendi ka detyrimin që të miratojë brenda 3 muajve ndryshimet e nevojshme ligjore.
‘Masa e pezullimit e vendosur nga Gjykata në datën 14.11.2023 hiqet për shkak të vendimmarrjes së sotme. Duke pasur në konsideratë që, nga njëra anë, ligji në tërësinë e tij duhet të fillojë të prodhojë efekte para përfundimit të këtij vitit akademik, por, nga ana tjetër, dispozitat që duhen shfuqizuar i bëjnë të pazbatueshme marrëveshjet me studentët, Gjykata vlerësoi t’i caktojë Kuvendit detyrimin që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.’- njofton Gjykata Kushtetuese.
Kujtojmë se Kuvendi miratoi me 21 korrik të vitit të kaluar me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për studentët e Mjekësisë. Për rreth 3 javë studentët e Mjekësisë bojkotuan mësimin dhe protestuan kundër ligjit që i vendos mes dy zgjedhjeve. Tashmë ata u janë rikthyer auditorëve prej 30 tetorit. Pas takimit me rektorin e UMT Arben Gjata ata u dakordësuan për të hyrë në leksione deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese pas ankimimit të tyre ndaj ligjit detyrues.