MENU
klinika

Nga “Start Up” te “shtëpia e biznesit”

Ibrahimaj tregon se si do të mbështetet sipërmarrja këtë vit

27.01.2024 - 10:00

Së shpejti do të hapet thirrja për mbështetjen financiare të bizneseve rishtare, njohur si “Start Up”. Në një intervistë për A2, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tregon edhe mënyrat e tjera se di do t’i vihet në ndihmë bizneseve në vend.

Jetojmë në epokën e mendjes, ideve… që për Shqipërinë e sotme në përpjekje për të tejkaluar vetveten të paktën në drejtim të modelit ekonomik, bëhen më të nevojshme se kurrë. Po shpesh këto plane që vijnë edhe nga mendjet e bukura të të rinjve mbeten në letër për shkak të klimës së ashpër të një biznesi ende me vizion të ngushtë. Ndaj për t’u dhënë jetë sa më shumë planeve të thjeshtë në dukje, por revolucionarizues në përmbajtje, së shpejti do të hapet edhe thirrja e dytë për mbështetje financiare të bizneseve rishtare, njohur si “Start Up”.

“Nisma synon të mbështesë ide, synon të mbështesë start-up në fazat iniciale të jetës së tyre, por edhe start-up në faza pak më të avancuara, të cilat kanë më pak se 7 vite që operojnë. Gjithmonë me ide të reja, inovative”, theksoi ministrja Delina Ibrahimaj.

Si pasojë e një sërë fenomenesh negative të trashëguara nga e shkuara, për mbështetej sot ka edhe sipërmarrja në vend, pavarësisht viteve-jetë në treg. Ndaj hallet e sipërmarrësve tani do të “qahen” në “Shtëpinë e Biznesit”.

“Synon të jetë një hapësirë ku pa shumë burokraci, biznesi mund të vijnë, të shfaqin shqetësimet, të marrin informacion mbi nisma të përbashkëta dhe të mund të japim zgjidhje për problematika të ndryshme”, u shpreh ministrja Delina Ibrahimaj.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit tregon edhe mbi mënyrën tjetër, atë të de-rregullimit me anë të së cilës do iu vihet në ndihmë bizneseve.

“Të gjitha ato dokumente që ofrohen nga administrata shtetërore të merren “online” pa dashur që sipërmarrësit të duhet të trokasin fizikisht në institucionet shtetërore.”

Por më shumë se sa ndihma financiare apo mbështetja ligjore e qeverisë, biznesi në vend po ka sot nevojë jetike për punonjës. Për të zbutur sa më shumë krizën që o ndihet gjithandej, së shpejti pritet të vihet në zbatim formula “trajnim duke punuar, kundrejt pagesës”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

“Ne po mundohemi të krijojmë një instrument në të cilin kosto e trajnimit, por edhe paga që të punësuarit e rinj do të marrin për periudhën e trajnimit të ndahet mes qeverisë dhe biznesit”, deklaroi Ibrahimaj.

Nevojën emergjente për të vlerësuar njerëzit si kapital të çmuar, e vuri së fundmi në dukje edhe Forumi Ekonomik Botëror që u kërkoj qeverive të vendosin individin në qendër të politikave të tyre.