MENU
klinika

Paketë mbështetëse për fasonin

Ibrahimaj: Disa prej bizneseve u ndikuan nga forcimi i lekut

27.01.2024 - 12:23

Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të mbështesë industrinë fason dhe transformimin e mëtejshëm të sektorit. Masat lehtësuese u dakordësuan në një takim të kryeministrit me përfaqësues të sektorit, i cili tha se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar dhe tani është koha për investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht për punonjësit.

Lidhur me këtë vendim foli në “Sheshin e Dollarit”, edhe ministrja e Shtetit për sipërmarrjen dhe klimën e biznesit, Delina Ibrahimaj.

Kjo e fundit ka theksuar se disa prej bizneseve u ndikuan nga forcimi i lekut.

“Që prej pranverës së vitit të kaluar kemi hyrë në bisedime për industrinë fasone, ku është ndikuar kryesisht çeshtja e forcimit të lekut dhe e zhvlerësimit e euros, që më së shumti ndikon te ato struktura që më shumë ndikon me material porositës, pra nuk e kanë kosto lëndën  e parë  dhe kanë pjesën më të madhe të shpenzimeve në lekë. Jemi të gjithë të qartë që forcimi i lekut është një dukuri që nuk kthehet më mbrapa, pasi është një dukuri ngushtësisht e lidhur me zhvillimet ekonomike në këtë vend. 

Padyshim, në një ekonomi të zhvilluar vlera e lekut do të vijojë të jetë e fortë. Shqipëria nuk mund të shihet si një vend ku mund të investohet për fuqinë e lirë punëtore, por për shkak të cilësisë. Nisur nga kjo ne operojmë dhe bizneset që nuk kanë marrë masa për diversifikimin e prodhimit të tyre, do të dalin nga tregu. Për ato biznese që do të kalojnë nga prodhim fason në prodhim vendas, shteti duhet të kryejë investime. Shteti do t’i marrë masat për materialet në mënyrë që biznesi të vazhdojë dhe mos të mbyllet. Këto janë çështje në diskutim”, tha ndër të tjera ministrja./abcnews.al