Kriza e vitit 2022 nxori si kurrë më parë në pah nevojën e Shqipërisë për t’i dhënë një tjetër hov procesit të shtimit të burimeve të prodhimit të energjisë.
Çmimet e larta të importit përveçse gllabëruan qindra-milionë euro nga buxheti, shkundën edhe strategjitë në letra duke diktuar hedhjen e hapave konkretë. Po sot, dy vite më pas, cila është panorama e sektorit energjetik në vend? Besjan Kadiu, Drejtor i Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë, shprehet për A2 CNN: “Aktualisht kemi, për shkak edhe të krizës, një incentivim të shtuar, jo vetëm në mbështetjen që është dhënë nëpërmjet praktikave konkurruese, ankandeve për alokimin e kapaciteteve gjeneruese të reja nga burimet e rinovueshme, por kemi një nxitje të shtuar edhe nga sektori privat”.
Nga Karavastaja në Spitallë, përfshirë vetëprodhuesit në rrjetin e shpërndarjes, impiantet në Qyrsaq, Vaun e Dejës apo digën e Zadejes dhe bashkë me ankandet e fundit eolike dhe ato fotovoltatike hibride, sektori energjetik sot në vend gëzon një vlerë të shtuar që pritet të gjenerojë deri në 1.3 terrvat/orë energji. Thënë më thjesht, kjo sasi do të ishte gati e mjaftueshme për të mos importuar fare energji nga jashtë, ndërsa ambicia e qeverisë është që deri në vitin 2030, vendi të kthehet në eksportues neto.
Besjan Kadiu shtoi: “Nuk do ta cilësoja vetëm si ambicie, pro do ta cilësoja si një plan i cili është në zbatim e sipër, pasi ne aktualisht kemi shtim të kapaciteteve nga burime të rinovueshme, të diversifikuara dhe alternative me ato hidrike”.
Një artikull i të përditshmes italiane “Europa Today”, bazuar te të dhënat e Eurostat, e renditi Shqipërinë në vendin e katërt, pas Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës në drejtim të konsumit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Për Drejtorin e Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë, Besjan Kadiu, Shqipëria ka potencial për t’u ngjitur edhe më lart në listën e “burimeve të pastra të energjisë”.
“Ne nuk kemi vetëm potencial, por edhe angazhim konkret. Në planin për Energjinë dhe Klimën, angazhimi i Shqipërisë për përdorimin e energjisë së rinovueshme në sasinë totale që konsumohet brenda vendit, është mbi nivelin 50%. Aktualisht, siç cilësohet në artikull, jemi në nivelin 44%”, theksoi Kadiu.
Vitin e shkuar, Shqipëria e mbylli me një bilanc pozitiv në drejtim të energjisë, duke madje arkëtuar rreth 50 milionë euro nga eksportet.