Ballkani i Ilir Dajës në Kosovë është duke u forcuar në momentet e fundit të merkatos së janarit. Kampionët e Kosovës rikthyen në ekip Meriton Korenicën nga Manisa në Turqi, teksa kanë gjetur akordin me Dinamon për Denisson.
Fantazisit 26-vjeçar do i kushtojë klubit nga Theranda 100 mijë euro, me brazilianin që kishte edhe gjashtë muaj kontratë me dinamovitët. Lajmi është konfirmuar nga Haris Fakic, që mban pozitën e drejtorit sportiv të Dinamos.
Veç tyre, Ilir Daja duket se po “plaçkit” edhe te Partizani. Bëhet fjalë për sulmuesin anësor Albers Keko. 22-vjeçari ka shënuar tre gola në 17 ndeshjet e këtij sezoni në Superligë, teksa ka kontratë me Partizanin deri në verën e 2026.
225 mijë euro është vlera e Kekos në treg, me djaloshin që ka marrë vetëm 555 minutë në elitën e Shqipërisë. Duket se trajneri Daja di se ku të bëjë lëvizje, me Ballkanin që do përforcohej së tepërmi në sulm.