Ka plot eksperienca në botë, se si drejtohet partia nga larg, nga shtepia, nga burgu, apo dhe nga mërgimi. Kjo po i ndodh tani, ish-liderit historik Berisha, që po drejton Rithemelimin e partisë nga tarraca e pallatit tij. Mbledhjet e kryesisë, apo dhe direktivat, jepen nga tarraca, po ashtu edhe urdhërat për ndarjen e territorit në “4 rajone për nisjen e aksionit opozitar”. Situata në të cilën po kalon Rithemelimi, (kur objekti kryesor duhej të ishte ribashkimi) mbetet e pakuptimtë.
Dy gjëra janë, ose Berisha nuk e kupton realitetin duke qendruar në banesë i detyruar nga masa e gjykatës, ose ka vendosur ta marrë me vehte në fatin e tij politik atë që ka mbetur nga PD e dikurshme. Të drejtosh nga tarraca partinë (si dikur Mao Ce Dun nga malet e Kinës) dhe të pretendosh se “je forcë fituese kur të vijnë zgjedhjet e reja”, është njëlloj sikur ngopesh me lugë të zbrazur. Berisha nuk pranon të bindë vehten se, 33 vite pasi ka bërë një rrugëtim të gjatë në karrierën si politikan, ka ardhur koha të mendojë seriozisht mbi fatin e asaj force politike. Askush nuk është i zëvëndësueshëm.
Kur vdiq Enveri, gati të gjithë thonin “bobo, kush do të na drejtojë”. U gjend Ramizi. Dhe kur iku ai, kishte njerëz që thanë “bobo, kush do të marrë frenat e shtetit dhe partisë”. Por ja u gjend Fatosi. Kjo ndodhi edhe kur iku (përkohosisht) edhe Berisha. Nisën të pezmatohen njerëzit e tij në parti duke i thënë, “mos ik Doktor, mos na ler vetëm”..Broçkulla të tilla dëgjon vetëm në parti të drejtuara gjatë nga një dorë, nga një person dhe nga një mëndje. Të tilla parti, i përkasin sistemeve njëpartiake. Në demokraci, elitat vijnë, japin kontribute, ikin, lëvizin, tërhiqen, dhe nuk kthehen më.
Ajo ç’ka ndodhi me Partinë Demokratike, mbetet unikale në historinë e partive politike të periudhës postkomuniste në vendet e Europës Lindore. Nuk mund të pretendosh drejtim të partisë, pa i caktuar vehtes një limit kohor, apo kritere statutore që janë detyrimisht të zbatueshme për këdo brënda saj. Drejtimi nga burgu, tarraca e pallatit, apo egzili i partisë, ngjet me një skenar tallës ndaj anëtarësisë dhe mbështetësve të saj. Kjo për faktin se, duke vendosur “Veton” mbi vazhdimësinë, u pret rrugën prurjeve të reja, apo dhe zgjedhjeve të lira brënda partisë.
Në Europën e qytetëruar, ka dhjetra emra të njohur politikanësh, që kanë qenë dikur kryetarë partish, por që sot janë thjesht anetarë të saj. Të dish ku mbaron koha jote në politikë, është kulturë. Të dish ku është vendi yt në politikë është zgjuarsi dhe largpamësi.