Ka kaluar pa ndonjë përshtypje të veçantë kërkesa e Lulzim Bashës, kryetarit të PD-së (Legale) për alokimin e 5 miliard Lekëve të reja ndihmë për Kosovën. Ndërsa priten zhvillime të mëtejshme, një gjë të bën përshtypje, sesi do të reagonin palët e ndara të PD-së sa i përket kësaj kërkese dhe sesi do të përcillet në Kosovë. Po nuk është vetëm kjo: Habitesh me një fakt se ndërsa e gjithë Evropa ka nisur ta marrë shumë seriozisht problemin e kërcënimit të Luftës, tek ne, përveç medias që përcjell lajme të huaja nuk bën fare asnjë përshtypje. Kuptohet se edhe lajmi i ndihmës ndaj Kosovës nuk ka marrë ndonjë rëndësi të veçantë, vetëm se është treguar si propozim politik.
“Presim që të paktën në këtë interes esencial të sigurisë sonë kombëtare, të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe të qëndrimit në krah me mjete modeste, në krahasim me investimin që po bëjnë aleatët tanë, presim të mos bjerë në nivelin e mjerueshëm të debatit politik ku e kanë futur aktualisht protagonistët e teatrit të përditshëm”, ka thënë Basha në shpjegimin e propozimit të tij. Po nëse dy debat është vërtet i mjerueshëm duket se i takonte tagri presidentit të vendit, që pasi të mblidhte Këshillin e Sigurimit të krijoheshin premisat e vërteta të kësaj ndihme; të qartësohej qëndrimi i Shqipërisë, si edhe të bëhej një përpjekje e re për të parë kushtet e vendit në krahasim me të shkuarën. Që do të thotë, në këtë situatë, Shqipëria përmes Begajt kishte nevojë të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të treguar brenda kanoneve të kësaj strukture, si organ këshillimor, ta qartësonte edhe presidentin për sfidat. Për fat të keq, pak ditë më parë, vetë presidenti në një rast të paprecedentë nuk mundi të mbante fjalën e tij hapëse të Legjislaturës së vitit 2024!!
Nuk mund të thuash se vendi ynë ka qëndruar i fjetur. Pak muaj më parë, Shqipëria përcaktoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare 2023-2028, një fakt, që do të thotë se deridiku vendi e ka përditësuar me kushtet e reja dhe ky dokument njeh realitetet e reja të pas Luftës së Ukrainës, për të mos thënë dhe avantazhin tonë si anëtar i NATO-s dhe disavantazhet e natyrave të tjera.
Megjithatë, në terren gjërat duken jo aq frymëzuese. Pa dashur të bëjmë një kujtesë të zhvillimeve tona të pas viteve’90, kurrë nuk i kishte vajtur ndërmend një njeriu të zakonshëm, që ata dhjetëra, qindra mijë bunkerë të përfundonin në asgjë, kurse vendstrehime të tëra (aq të nevojshme në rast kërcënimesh) të zhdukeshin në makuterinë tonë të frikshme për të ndërtuar. Nëse për arsyetim të zakonshëm dhe pragmatist të duhet të shikosh situatën kur vendet po e artikulojnë më shumë kërcënimin e luftës, këtu flasim për vendet nordike, si edhe për Gjermaninë e vendet e tjera të Evropës; për shpenzimet të duhet llogaria e lapsit të ekonomistit, nëse duheshin apo nuk duhej të prisheshin në atë mënyrë infrastruktura jonë mbrojtëse. Ne krenohemi sot me vendstrehimet vetëm si atraksion historik për t’u treguar sesi përgatiteshim para një armiku imagjinar, kurse tashmë bota po abstragon me armiq realë. A ia vlente në fakt rrjeti i tërë i tuneleve, që e bënte Shqipërinë një nga vendet më të rrjetëzuara për mbrojtje?! Pas në histori: Në vitin 1971 Plenumi i 12-të i Komitetit Qendror të PPSH-së, kuptohet në drejtim e Enver Hoxhës, filloi projektin e bunkerizimit të Shqipërisë, i cili vazhdoi deri në mesin e viteve ’80, ku u ndërtuan rreth 173.371 bunkeërë, një çdo 11 banorë dhe vendi u mboll me bunkerë ngado, këtu nuk kujtohej tragjedia se vdiqën me qindra ushtarë e civilë për shkak të aksidenteve në punë.
Një llogari e pastër dhe që e respektonte sensin e shtetit do të duhej të gjykonte për të gjithë këtë lloj pasurie në dukje groteske, nëse do duhej apo jo të bënim atë që bëjmë zakonisht për të shkatërruar gjithçka. Justifikimi i sotëm për hapësirë dhe për të ndërtuar bie kur shikon studimet, si ai që bëri UNDP-ja (2022) pak kohë më parë : Një pjesë e konsiderueshme e banesave janë bosh, ndërsa popullsia po pakësohet, ndërkohë lejet e reja parashikojnë mbi 11 milionë metër katrorë banesa të reja në dekadën e fundit. Kërkesat për banesa nuk mund t’i rritë as migrimi i brendshëm, sepse kur popullsia e Tiranës është rritur së bashku vetëm 4 për qind, nga ana tjetër stoku i banesave është rritur mbi 27 për qind dekadën e fundit.
Duke u kthyer në temën tonë: Sulmet e pak muajve më parë në Banjskë dhe përplasja sistematike e sulmuesve serbë me trupat e NATO-s (disa herë është mëtuar dhe për forca të Ëagner) na kujtuan sesa afër është rreziku i agresionit. Nuk po shtojmë forcimin e vazhdueshëm ushtarak serb. Analistë të ndryshëm kanë shtruar si logjikë edhe faktin se grupi i armatosur i Radojçiqit ka dashur “vetëm të nisë konfliktin, e NATO-ja të hyjë në mes të palëve ndërluftuese”. Kjo është jo thjesht shqetësuese por edhe paralajmëruese për një vend si Serbia, që nuk e dorëzon Radojçiqin tek autoritetet e Drejtësisë Kosovare, teksa ai po flitet shpesh edhe për ngjarje problematike në vetë Serbi. Por më shqetësues është fakti që Bajnska po harrohet dhe po relativizohet edhe në narrativën e shumë vendeve të NATO, madje edhe ato që kanë trupa në Kosovë. Për fat, anëtarësia në NATO mbetet një garanci e fortë dhe ky është edhe thelbi i sigurisë së vetë Dokumentit tonë të Sigurisë, ashtu si për Kosovën ka shumë vlerë qenësia e KFOR-it. Jo më kot, forcat e specializuara të NATO-s bënin prova për neutralizimin e turmave në Kosovë, kurse ishte ndërhyrja e tyre, duke shtuar profesionalitetin e autoriteteve kosovare, për t’ia dalë me Bajnskën. Jashtë qerthullit të Kosovës, gjithnjë e më shumë analistë ushtarakë, po alarmojnë për rrezik dhe vetë NATO ka bashkuar rreth 90.000 pjesëmarrës në manovrat e saj.
Po pse ka heshtje në Tiranë dhe pse një propozim i tillë, paçka ngjyrimit sesi mund të mendohet nuk bën përshtypje? Pse Tirana, jo pak herë e ka lënë Kosovën me gisht në gojë? Dikur më 1998 kryeministri Nano shprehej si “pacifist” për Kosovën, që duhet të kishte kryeqytet Beogradin dhe të mendosh se ajo po vlonte dhe gati ishte katrahura!!! Kurse më 1995-96 Berisha do e ngucte Demaçin kundër Rugovës duke e përdorur në një farë mënyre për mbrojtjen e pushtetit të tij, me tërheqjen e vëmendjes!!
Ka shumë nga këto episode, po kur mendon amullinë, llogaritjet e gabuara jo vetëm ekonomike, mënyrën sesi kemi vepruar me Kosovën e kupton pse është kjo qetësi në Tiranë. Nuk është vetëm amullia politike dhe stadi i tillë. Dhe, jo vetëm për propozimin e Bashës, por edhe mënyrën sesi t’i paraprijmë kohëve. Ne mbetemi gjithnjë kundrakohë (Homo Albanicus)