Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shprehur frikën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka vendosur që euroja të jetë e vetmja valutë zyrtare në vend.
Në një deklaratë për media pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, Hovenier ka thënë se SHBA-ja është e shqetësuar dhe ka rezerva për implementimin e rregullores.
Madje, ai ka thënë se aktualisht SHBA-ja është kundër rregullores së re pa përgatitje të plotë. Ai ka thënë se kjo çështje kërkon më shumë kujdes dhe dialog. Sipas tij, rrezikohen tensione sidomos te njerëzit që varen nga ndihmat që vijnë prej Serbisë.
“S’di si mund të shmanget të paktën frustrimi nga qytetarët prej implementimit të vendimit. Të marrim shembull një pensionist që merr ndihmë financiare. Është i mësuar me këtë sistem. Supozoj se ai ka shkuar në një pikë të caktuar për të marrë ndihmën. Si do ta marrë këtë përfitim ai? Çka do të ndodhë me të? Ai i moshuar mund të jetë i shokuar për këtë…. mendoj se mund të ketë tensione nga njerëzit që do të ndihen të lënë jashtë ndihmave nga të cilat varen. Askush nuk e do një gjë të tillë”, ka thënë ai.
Hovenier ka thënë se SHBA-ja ka shpresë që Qeveria e Kosovës mund të gjejë një zgjidhje tranzicioni.