MENU
klinika

Basha ‘godet’ Berishën

“SPAK, e vetmja shpresë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri”

03.02.2024 - 17:50

Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka ndarë në rrjetin social facebook një fragment nga takimi i tij i djeshëm me strukturat e PD-së së Njësisë 2 dhe 8 në kryeqytet.

“SPAK është e vetmja shpresë e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, ndaj duan ta mbysin.” – është shprehur kryetari i PD-së, Basha.

“Nuk do t’ia dalin! Dhe kjo jo vetëm për shkak të mbështetjes që Partia Demokratike i jep pa kushte SPAK-ut dhe BKH-së, por edhe sepse, në këtë betejë kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi në krah Bashkimin Europian, të cilat na mirëpresin. Por vetëm me standartet dhe parimet, mbi të cilat kanë ndërtuar shoqëritë e tyre.” – ka vijuar më tej kreu i PD.

Basha gjithashtu tha se “Partia Demokratike ka përfunduar hartimin e programit dhe po e konsulton atë me miqtë dhe partnerët perëndimorë. Ky program së shpejti do t’ju paraqitet shqiptarëve. Dhe do të jetë me ta. Me pronarët dhe me të përndjekurit, me rininë dhe fermerët shqiptarë, me sipërmarrjen shqiptare dhe me punonjësit e shëndetësisë, me punonjësit e arsimit dhe me pensionistët.”

Më poshtë postimi i plotë i kreut të PD-së, Lulzim Basha
SPAK-u është shpresa e vetme e shqiptarëve për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndaj duan ta mbysin. Nuk do t’ia dalin! Dhe kjo jo vetëm për shkak të mbështetjes që Partia Demokratike i jep pa kushte SPAK-ut dhe BKH-së, por edhe sepse, në këtë betejë kemi në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kemi në krah Bashkimin Europian, të cilët na mirëpresin. Por vetëm me standartet dhe parimet mbi të cilët kanë ndërtuar shoqëritë e tyre.

Prandaj procesi që kemi nisur është shumë i rëndësishëm. Dhe unë e di, që të flasësh për procesin në një Shqipëri që lëngon nga papunësia kronike, që lëngon nga pagat me të cilat nuk përballohet dot kostoja e jetesës, mund të duket si një luks. Por ja që duhet të flasim për procesin. Se ne demokratët nuk jemi të bashkuar thjesht sepse i shohim dhe i prekim hallet e shqiptarëve dhe na dhemb për ta, por sepse besojmë që kemi vizionin, programin dhe së shpejti ekipin për t’i bashkuar shqiptarët në një projekt shprese.

Partia Demokratike ka përfunduar hartimin e programit dhe po e konsulton atë me miqtë dhe partnerët tanë perëndimorë. Ky program së shpejti do t’ju paraqitet shqiptarëve dhe do të jetë me ta. Me pronarët dhe me të përndjekurit, me rininë dhe fermerët shqiptarë, me sipërmarrjen shqiptare dhe me punonjësit e shëndetësisë, me punonjësit e arsimit dhe me pensionistët.

Që ne do t’i japim formën finale vizonit tonë, jo thjesht për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo gropë e zezë, por për t’i ofruar mundësinë të ecë me ritmet më të larta që ka njohur në këto 34 vite. Për ta mbyllur me kyç e me dryn derën e tranzicionit dhe për të hapur derën e Shqipërisë europiane.