MENU
klinika

Projeksionet e BQE

Ekonomia europiane do të ngadalësohet

27.12.2018 - 14:55

Banka Qendrore Europiane bën të ditur se ekonomia globale pritet të ngadalësohet në vitin 2019 e të stabilizohet më pas, ndërkohë që inflacioni pritet ende në rritje.

Investitorët janë përgatitur për një ngadalësim të ekonomisë botërore, të nxitur kryesisht nga kostot më të mëdha të huamarrjes në dollarë dhe tensionet tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Institucioni në Frankfurt i mbështeti këto pritshmëri në buletinin ekonomik,  ku bëri gjithashtu të ditur se do të ketë rritje të çmimeve në Eurozonë dhe në të gjithë botën.

Buletini ilustroi vendimin e Bankës Qendrore Europiane në takimin e muajit Dhjetor, për të përfunduar blerjet e obligacioneve prej 2.6 trilionë euro, pavarësisht se do të vazhdojë të riinvestojë paranë që merr nga titujt që maturojnë. Vendimi u kritikua nga disa pjesëmarrës të tregut, duke marrë parasysh ngadalësimin ekonomik.

Megjithatë,  Banka Qendrore Europiane, që ka objektiv të vetëm arritjen e inflacionit në pranë 2%, rikonfirmoi kendvështrimin se çmimet do të vazhdojnë në rritje.

“Inflacioni bazë pritet të vazhdojë rritjen në mënyrë graduale në terma afatmesëm, mbështetur nga masat politike të  bankës, zgjerimi ekonomik dhe rritja e pagave”, deklaroi institucioni.