Një episod i shëmtuar ka ndodhur ditën e djeshme në Maqedoni gjatë manifestimit të organizuar nga ana e Agjencisë për Rini dhe Sport, që ndau çmimet për më të mirët e vitit.
Hendbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë, Stole Stoilov, ka braktisur ceremoninë. Arsyeja ka qenë përdorimi i gjuhës shqipe, gjë që e nervozoi pa masë dhe e bëri të largohej duke e përplasur derën.
E gjitha kjo ndodhi në fillimin e kësaj ceremonie. Pikërisht në momentin kur dy çmimet e para iu ishin ndarë dy sportistëve shqiptarë nga Çairi dhe Tetova.
Përfaqësuesi i shkollës së mesme ekonomike, Bujar Ibraimi, profesor i sportit dhe Kryetar i Lidhjes së Sporteve në Komunën e Tetovës, të pranishmëve u ishte drejtuar në gjuhën shqipe.
Kaq mjaftoi që Stoilov të inatosej dhe të largohej para kohe nga manifestimi në të cilin i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Zoran Zaev.