Politikanët gjermanë, duke pasur parasysh mundësinë që Donald Trump të rikthehet si president i Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e nëntorit, kanë nisur një diskutim jozyrtar për perspektivat e një NATO-je pa Shtetet e Bashkuara si udhëheqëse, shkruan “New York Times”. Trump ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara po investojnë shumë përpjekje dhe para në aleancën Atlantike dhe madje ka kërcënuar se do të tërheqë vendin e tij nga aleanca. Madje në fund të presidencës së tij, presidenti francez Emmanuel Macron shkoi aq larg sa e përkufizoi NATO-n sikur po përjetonte “vdekje cerebrale”, në “The Economist”. Politikanët gjermanë kanë frikë se, nëse zgjidhet për një mandat të ri presidencial, Trump do të përpiqet ta zbatojë këtë kërcënim. Tani, vëren “New York Times”, Gjermania renditet e dyta pas Shteteve të Bashkuara për sa i përket ndihmës për Ukrainën. Meqë SHBA nuk janë në gjendje të miratojnë një buxhet që përfshin ndihmën ushtarake për Ukrainën, Gjermania ka pothuajse dyfishuar shpenzimet e saj për këtë, në 8.5 miliardë dollarë në vit.
“Testi” gjerman
‘New York Times” sheh në këtë diskutim shenjat e një “kthese të habitshme të mendimit”, duke nënvizuar se tashmë në vitin 2023 NATO po fliste për unitet të ri dhe objektiva të reja të përbashkëta në sfondin e një pushtimi rus në shkallë të gjerë të Ukrainës. Bruno Kahl, kreu i inteligjencës së jashtme të BND, ishte gjithashtu jashtëzakonisht i qartë në këtë pikë javën e kaluar: “Nëse Ukraina detyrohet të dorëzohet, kjo nuk do të kënaqë etjen e Rusisë për pushtet. Nëse Perëndimi nuk demonstron një aftësi të qartë për të mbrojtur veten, nuk do të ketë më asnjë arsye që Putini të mos sulmojë NATO-n”, tha ai. Të premten Scholz pritet në Uashington nga Joe Biden, presidenti që rivendosi fuqishëm partneritetin perëndimor pas tërmetit të Trump, por që mund të detyrohet të largohet në fund të vitit. Çështjet në tryezë janë delikate dhe mund të flitet edhe çështja e mospërputhjes gjermane për çështjen e ndihmës. Ndërsa nga njëra anë Scholz i zgjat dorën Kievit, nga ana tjetër ai heziton t’u japë ukrainasve raketat me rreze të gjatë veprimi Taurus, të cilat Zelensky i ka kërkuar prej muajsh.
NATO pa SHBA
Por nëse Trump do të tërhiqej në të vërtetë nga NATO, siç kanë frikë shumë, gjë që çdo aleat i traktatit mund ta bëjë sipas nenit 13, mbetet për tu diskutuar. Ky realitet nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht fundin e NATO-s, megjithëse do ta kthente atë në një aleancë thelbësisht të ndryshme nga ajo që ka ekzistuar në 75 vitet e fundit. Sigurisht, SHBA-ja nuk është si çdo anëtar tjetër i NATO-s, është shtylla kurrizore e vërtetë e aleancës. Duke filluar me gjeneralin Dwight D. Eisenhower, komandanti suprem i saj ka qenë gjithmonë amerikan. Ushtria amerikane gjithashtu përbën një pjesë të mirë të aftësisë së përgjithshme të NATO-s dhe forcat e saj të armatosura përbëjnë bërthamën rreth së cilës shumica e aleatëve të NATO-s kanë ndërtuar ushtritë e tyre. Më shumë se 100,000 forca tokësore, ajrore dhe detare të SHBA-së janë aktualisht të dislokuara në të gjithë Evropën në mbështetje të drejtpërdrejtë të NATO-s. Për më tepër, arsenali bërthamor i SHBA-së, përfshirë armët e vendosura në Evropë për përdorim nga forcat ajrore aleate, “janë garancia supreme e sigurisë së aleancës”.
Frika e aleancës
Megjithatë, NATO do të mbetej një aleancë ushtarake potencialisht e frikshme edhe pa SHBA-në Anëtarët e saj përfshijnë shumicën e vendeve në Evropë, plus Kanadanë, dhe organizata zotëron procese, procedura dhe programe për mbrojtjen kolektive që janë shumë të zhvilluara dhe potencialisht shumë efektive. Nëse ai potencial do të përkthehej në realitet, natyrisht, do të varet kryesisht nga anëtarët që mbetën. Dhe një NATO pa SHBA nuk do të ishte aq efektive sa me të si anëtare. Do të ishte gjithashtu një pengesë më pak e besueshme për Rusinë dhe kundërshtarët e tjerë. NATO mund të mos marrë fund me zgjedhjen e Trump, por aleanca do të ishte shumë më e dobët pa një partner të besueshëm amerikan. Siç tha një zyrtar i lartë evropian i aleancës, “NATO pa udhëheqjen amerikane nuk është më NATO”, tha ai.