MENU
klinika

U nënshkruan pas 15 vitesh negociata

Marrëveshja Shqipëri-Itali fillon me 4 mijë pensione në vit

07.02.2024 - 10:25

Pas një dekade e gjysmë përpjekjesh, ditën e djeshme është formusr marrëveshja me Italinë për njohjen e kontributeve, e vlefshme për pensionet, sigurimi për papunësinë dhe sëmundjet.

Më shumë se 500 mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë prej vitesh në shtetin e përtej Adriatikut përfitojnë drejtpërdrejt nga ky pakt, sikundër edhe qindra italianë të tjerë që kanë zgjedhur vendin tonë për të jetuar. Dy ministrat respektivë për Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Antonio Tajani firmosën dje marrëveshjen, ndërkohë që pritet ratifikimi në dy parlamentet për implementimin e saj. Në ditën e parë të muajit të dytë pas shkëmbimit të dokumenteve të ratifikimit, marrëveshja do të hyjë në fuqi njëkohësisht me marrëveshjen administrative për legjislacionin zbatues të kësaj marrëveshjeje, që do të bëhet e vlefshme në të njëjtën kohë kur do të hyjë në fuqi kjo marrëveshje.

Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje me 15 vende për njohjen e pensioneve, me vende si Gjermania, Turqia, Austria, Belgjika etj. Vendi ynë aktualisht ka marrëveshje për njohjen e pensioneve me 15 shtete, me 17 të tjera është në proces negocimi, ndërsa me tre shtete është në proces vlerësimi.

DEKLARATAT

Përveçse i shumëpritur, akti i djeshëm, për ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani është një siguri më shumë për të gjithë ata që jetojnë në Itali apo Shqipëri. “Është një marrëveshje shumë e rëndësishme, kishim 15 vite që prisnim këtë firmë, firmë të cilën e finalizuam sot dhe garanton të drejtat e punonjësve italianë në shqipëri apo të punëtorëve shqiptarë në Itali për pensionet.

Mendoj se ky vendim i përbashkët i Tiranës dhe Romës dhe anasjelltas ofron për shumë persona një siguri dhe perspektivë pozitive për të ardhmen”. Ndërkohë, ministri shqiptar, Igli Hasani falënderoi homologun dhe shtetin italian për punën e bërë në drejtim të kësaj marrëveshjeje teksa uroi të gjithë shqiptarët që përfitojnë.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë shqiptarët që punojnë e jetojnë në itali si dhe të gjithë italianët që punojnë në shqipëri. 15 vjet, një përpjekje shumë të rëndësishme që firmosëm sot. Jam shumë i gëzuar, jo vetëm se jam personi që firmos këtë, por edhe për gjithë bashkëpunimin që kemi pasur me Ministrinë e Jashtme të Italisë dhe kolegët që kanë kontribuuar për këtë moment të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët dhe kontributin e tyre ndër vite. Falënderoj italinë, ministrin tajani për kontributin e tij personal dhe gjithë të mirat atyre që përfitojnë nga ky protokoll”, deklaroi ministri duke shtuar më tej se ky pakt ishte rezultat i një përpjekje dhe insistimi të madh nga ana e qeverisë shqiptare.

“Kjo marrëveshje tregon që marrëdhëniet tona janë gjithnjë e më afër. Ndoshta do të krijojë edhe kushte shumë më të mira. Krijimi i këtij ambienti pozitiv për njerëz që kanë sakrifikuar shumë është padyshim arritje shumë e madhe. Ka pasur një insistim 10- vjeçar nga qeveria shqiptare që në çdo konferencë pika kryesore ishte firmosja e marrëveshjes. Insistimi dhe presioni pozitiv ka qenë konsistent dhe rezultatet sot janë këto”, shtoi Hasani.

Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.

Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kroacia dhe Kosova. Kësaj liste i shtohet edhe Italia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë dhe Francën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor takim në Romë

Kur finalizohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për pensionet